
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar sot segmentin “Lugi i Gjatë”, ku po vazhdojnë punimet në rrugën strategjike Junik–Gjeravicë.
Në një postim në rrjetet sociale, Shehu thekson se vizita nuk ishte për mediat apo fotografi, por për t’u siguruar nga afër se puna po ecën me përkushtimin e duhur. Ai nënvizon se ky projekt, dikur i lënë në heshtje, sot po ecën përpara me ritme të qëndrueshme.
“Sot isha në segmentin Lugi i Gjatë, ku po vazhdon puna për ndërtimin e rrugës Junik–Gjeravicë. Jo për ta përmendur, jo për ta fotografuar, por për t’u siguruar që po ecën siç duhet — ashtu siç e kemi nisur dhe nuk e kemi ndalur,” shkruan Shehu.
Kryetari vlerëson se për një kohë të gjatë në këtë zonë nuk kishte pasur as zhurmë e as punë, ndërsa tani aty ka makineri, punëtorë dhe mbi të gjitha vullnet institucional për përfundimin e projektit.
“Se lehtë është me premtu për Gjeravicën, por vështirë është me i kaluar luginat. E sot, kur rruga po shtrihet metër pas metri, disa kujtohen – me emocione të vonuara – thjesht sepse kanë filluar ta kuptojnë se qytetari nuk bie më në rrjetat e vjetra të fjalëve,” shton ai.
Shehu ka adresuar edhe kritikat që vijnë nga ata që në të kaluarën nuk kishin marrë guximin të nisnin këtë projekt, duke thënë se:
“Gëzimi për punën e tjetrit është gjysma e pendesës për punën që s’e bëre dot vetë.”
Projekti i rrugës Junik–Gjeravicë konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, promovimin e turizmit malor dhe lehtësimin e qasjes drejt Gjeravicës — një prej pikave më atraktive të Alpeve Shqiptare.