Prokurori i Përgjithshëm i shtetit amerikan Indiana, Todd Rokita, ka akuzuar të shtunën TikTokun se ofron “përmbajtje që përshkruan alkoolin, duhanin dhe drogën: përmbajtje seksuale, lakuriqësi dhe fyerje të mëdha”, shkruan Bloomberg.
Sipas Rokitas, TikToku e promovoi këtë përmbajtje pavarësisht nga mosha e përdoruesve, “që do të thotë se është në dispozicion për përdoruesit e moshës 13 vjeç”. Ai konfirmoi padinë për këtë platformë.
Sipas prokurorisë, TikToku “promovon një sërë përmbajtjesh të papërshtatshme për përdoruesit e moshës 13 deri në 17 vjeç në të gjithë Shtetet e Bashkuara”.
Një tjetër padi pretendon se autoritetet kineze mund të kenë qasje në të dhënat e përdoruesve të TikTokut.
“Qeveria kineze dhe Partia Komuniste po tregojnë interes për llojin e të dhënave që mbledh TikToku për përdoruesit e tij, të cilat ata mund t’i përdorin për të spiunuar dhe shantazhuar ata përdorues”, ka thënë ai.
Këtë vit, TikToku ishte nën vëzhgimin e autoriteteve amerikane për shkak të supozimit të mbledhjes së tepruar të të dhënave.
Së fundmi, kompania konfirmoi se disa punonjës, përfshirë ata në Kinë, mund të kenë qasje në të dhënat e individëve që përdorin aplikacionin në Evropë.
“TikTok u thotë përdoruesve të Indianas se të dhënat e tyre mbrohen nga protokollet dhe praktikat gjithëpërfshirëse të kompanisë, duke përfshirë kontrollet e rrepta të qasjes së menaxhuara nga një ekip sigurie me bazë në SHBA”, shtoi Rokita. “TikTok thotë se kurrë nuk i ka dhënë qeverisë kineze qasje në ato të dhëna dhe nuk do t’i japë kurrë”.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, paditësi thotë se TikToku ruan të dhënat e përdoruesve në serverë të operuar nga kompani kineze që i nënshtrohen ligjeve kineze.