970×90
970×90
970×90
970×90

SHBA demanton Serbinë: Asnjë shtet nuk ia ka kthyer shpinën Kosovës

SHBA demanton Serbinë: Asnjë shtet nuk ia ka kthyer shpinën Kosovës

Eliot Engel, anëtar i Komiteti për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ka thënë se pretendimet “mashtruese” të Serbisë për tërheqje të njohjeve për Kosovën, janë krejtësisht të rreme.

Në një postim në Twitter, Engel ka thënë po ashtu se shteti serb duhet të heq dorë nga kjo politikë pasi pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.

“Pretendimet mashtruese të Serbisë se vendet po ua kthejnë shpinën Kosovës, janë mashtruese dhe po shkaktojnë zemërim të madh nëpër botë. Serbia duhet të ndalojë këtë dhe t’i kthehet normalizimit me fqinjin e saj. Pavarësia e Kosovës dhe sovraniteti i saj janë të përhershme”, ka deklaruar Engel.

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka mirëpritur përkrahjen që i ka dhënë Kosovës ky Komitet.

“E mirëpresim përkrahjen nga Komiteti dhe nga Departamenti i Shtetit në përpjekjet tona për të luftuar propagandën e lajmeve të rreme të Serbisë dhe përpjekjet e tyre të dështuara për të bllokuar integrimin në komisione ndërkombëtare”, ka shkruar Pacolli në Twitter.

Ai i ka bërë thirrje Beogradit të ndalojë këtë “sjellje prej kalorësi” dhe të mbetet ii përkushtuar në dialog “duke mos abuzuar me të”.

Ditë më parë, ministri serb i Jashtëm, Ivica Daçiq, prezantoi një dokument përmes së cilit thoshte se shteti i Liberisë e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, e këtë e publikoi pas takimit që ai zhvilloi me ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Gbezongar Milton Findley.

Mirëpo, në po të njëjtën ditë, Qeveria e Liberisë nëpërmjet një deklarate zyrtare për media “ka hedhur poshtë raportet në disa media ndërkombëtare dhe sociale për revokimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës”, transmeton Koha.net.

“….Liberia ishte njëri nga vendet e para, që njohu sovranitetin e Kosovës me 30 Maj 2008, pas shpalljes së deklaratës së Pavarësisë dhe mbetet e përkushtuar tek Deklarata e Përbashkët mbi Vendosjen e Marrëdhënieve Diplomatike. Të dy vendet vazhdojnë të gëzojnë besim të ndërsjellë dhe miqësi”, thuhet në deklaratën për shtyp të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Liberisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka thënë se “kjo deklaratë është një dëshmi bindëse kundër lajmeve të rreme dhe propagandës së egër dhe të vrazhdë serbe kundër Kosovës, ashtu siç u dëshmua me shtetin e Guinea Bissau, Ganën dhe vende të tjera”.

Related posts