970×90
970×90

Shaqiri, Xhaka e Behrami janë heronjtë tanë, kurrë nuk e harroj Kaliningradin

Shaqiri, Xhaka e Behrami janë heronjtë tanë, kurrë nuk e harroj Kaliningradin

Berat Buzhala

 

Asnjë shqiptar, kudo në botë, nuk duhet ta përdorë si arsyetim Xhakën, Shaqirin e Behramin, për të mos u bërë pjesë e Kosovës. Tash jetojmë ne një epokë tjetër, kurse këta gladiatorë ishin flamuri i Kosovës, edhe atëherë kur Kosova nuk e kishte një të tillë.

Viti 1998

Kampionati botëror i futbollit po mbahej në Francë. Kroacia e kishte një ekip fantastik. Ishte një gjeneratë që në fund të viteve të 80-ta e kishte fituar kampionatin botëror të futbollit për moshat nën 18 vjeçare. Në mesin e tyre ishin Prosenecki, Shuker, Boban, Jarni, dhe yje të tjera. Ky ekip kishte arritur që të luante në gjysëmfinale të botës, pasi e kishte mundur Gjermaninë me një rezultat të thellë, kurse humbi nga Franca me një rezultat të ngushtë.

Bashkë me familjen, të gjitha ndeshjet e Kroacisë i kemi shikuar me sy te banka rezervë. Aty po qëndronte një shqiptar, Ardian Kozniku.

“Qe kyyy”, bërtitsha, sa herë që atë e kapte ndonjë pamje e shpejtë e kamerës. Na bëhej zemra mal. Kozniku ishte ndër të paktët lojtarë të Kroacisë që në atë kampion kishte luajtur zero minuta. Mirëpo ne na mjaftonte edhe të ishte aty, që ndonjëherë ta shihnim, qoftë edhe për 1 sekond.

Unë pamjet më të forta grafike të memorizuara në kokën time, për futbollin, por edhe për jetën në përgjithësi, i kam në vitet e 90-ta. Serbia dhe ekipet e saj, pothuajse në çdo sport, kanë qënë lidere ballkanike. Deshtëm a nuk deshtëm, marrë parasysh që edhe stacionet televizive që mund t’i shihnim ishin pothuajse të gjitha serbe, nuk mund t’i shmangeshim ekipeve serbe dhe fitoreve të tyre. Kozniku kishte qënë freskia jonë e vetme përballë çdo gjëje serbe që kishte qenë në atë kohë. Figura tmerrësisht nacionaliste si Sinisa Mihajloviq, Stojkoviq, e të tjerë, ishin vënë në shërbim të Arkanit dhe Millosheviqit. Nuk kishim zgjidhje tjetër. Shqipëria ishte inekzistente në atë kohë.

Viti 2018

Kanë kaluar dy dekada prej kur unë u pata ngujuar para ekranit të vogël, për të shikuar Koznikun tek qëndron në bankën rezervë të Kroacisë. Tash jam në Kaliningrad, bashkë me Leonard Kërqukin. Është ndeshja e fundit e fazës kualifikuese. Po luajnë Zvicra kundër Serbisë. Stadiumi është plot e përplot. Sapo lojtarët e Zvicrës u shfaqën në fushë, mijëra vetë në kor filluan të broharasin “ubi ubi šiptara” (vrite vrite shqiptarin). Tash, shqiptarët nuk ishin më në bankën rezervë, po kudo nëpër fushë. Shaqiri, Xhaka, Xhemajli, Behrami. Këta ishin shtyllat e ekipit të Zvicrës. Serbët dhe rusët tek Zvicra po e shihnin Kosovën dhe shqiptarët, kurse këta djem nuk e mohonin këtë gjë. Sa herë që Shaqiri e prekte topin, shikuesit e shumtë fillonin të thërrisnin për thika, për premje për shqiptarë. Ju gënjej nëse ju them që nuk jemi frikësuar edhe në tribina. Kurse këta spartanë shqiptarë po luftonin në fushë.

Një jetë nuk do të ishte shumë e varfër për një person, nëse do të përbëhej vetëm nga ky episod. Xhaka dhe Shaqiri morën hak për të gjithë ne, qoftë edhe duke e veshur një fanelë të një shteti tjetër, që ua kishte hapur të gjitha dyert. E gjithë bota po raportonte për një duel ballkanik, për një ndeshje në mes të Serbisë dhe një shteti proxy të Kosovës, që kishte rastisur të ishte Zvicra.

Momenti kur Xhaka e kishte hedhur atë bombën e tij, të cilën unë e kam në kokë të ngulitur si një fotografi që zhvillohet ngadalë. Goli i Xhakës është pamja e vetme që kur po ndodhte, e dija që do të ndodhte. Një krosim, një vrapim, një goditje. Një çmenduri. Kosova po fitonte në Kaliningrad.

Viti 2022

Sot në Cyrih ekipi kombëtar i Kosovës luan një ndeshje miqësore me Zvicrën. Tash ne jemi rritur. Jemi bërë shtet që kemi të drejtë të marrim pjesë në gara ndërkombëtare. Përballë nesh janë veteranët që na kanë përfaqësuar me aq krenari kudo që kanë luajtur. Në Bajern. Në Inter. Në Borusi. Në Arsenal. Liverpool. Kudo. Sa herë që kanë dhënë intervista për mediat më të mëdha botërore, ata nuk kanë harruar që të flasin për historinë e tyre të dhimbshme, për mënyrën se si bashkë me familjet e tyre kishin ikur nga Kosova nga dhuna serbe. Këta kanë qënë zëdhënësit e Kosovës për një kohë mjaft të gjatë. E gjitha bota ka folur për talentin që kishin kosovarët për futbollin, bazuar ne talentin e këtyre djemve. E gjithë bota ka folur për Zvicrën, si për Kosovën. Këta djem ishin marketingu më i madh që e kemi pasur, bashkë me Rita Orën dhe Dua Lipën.

Prandaj, sot Shaqiri e Xhaka ndeshen me pasaardhësit e tyre. Kosova duhet t’i falendërojë ata në çdo minutë.

Sigurisht që tash rrethanat kanë ndryshuar. Kosova dhe jo Zvicra, Kosova dhe jo ndonjë shtet tjetër, duhet të jetë destinacioni i çdo të riu dhe të reje që ka synim ta veshë fanelën e një shteti.

Në dy-tri vitet e fundit kemi parë zhvillime të pakëndëshme në këtë rrafsh. Kemi parë prindër të papërgjegjshëm që i manipulojnë fëmijët e tyre. Kemi parë prindër që interesin personal të tyre e vënë përpara interesit të shtetit të tyre. Në intervista televizive flasin për Kosovën, kurse fëmijët e tyre i detyrojnë të luajnë për shtete të tjera, si Belgjika apo Zvicra. Askush nuk duhet të provojë ta replikojë Xhakën, Shaqirin e Behramin. Këta i kanë takuar një epoke të caktuar. Kosova nuk ka qenë shtet, e këta kanë luajtur edhe për neve.

Sot në Cyrih unë jam tifoz i Kosovës, por kurrë, në asnjë moment, në asnjë çast, në asnjë minutë të lojës, nuk do të mund të krijoj emocione negative për djemtë tanë që në një moment të caktuar historik u bënë pjesë e Zvicrës. Nuk kanë pasur zgjidhje tjetër. Do të gabonin rëndë po ta braktisnin ekipin që ua hapi dyert. Zhveshja e fanelës së Zvicrës dhe veshja e asaj të Kosovës do të shkonte kundër traditës tonë. Nuk do të ishte gjest fisnik.

Gjatë gjithë karrierës së tyre, kudo ku kanë luajtur, na kanë bërë krenarë.

Related posts