Analisti Daniel Serwer nga Universiteti Johns Hopkins i tha Zërit të Amerikës se vendet e Ballkanit nuk duhet të injorojnë përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e integrimit euroatlantik të rajonit.
Serwer tha se Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime
“Serbia ende flirton me Rusinë, sepse Rusia ka ndikim. Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime. Asnjë politikan në Ballkan nuk mund të injorojë faktin që Rusia bëri komplot për vrasjen e Gjukanoviçit. Kjo do marrë seriozisht në konsideratë”, tha ai.
Ndryshe, në një diskutim për Ballkanin të mbajtur ditët e fundit në Universitetin Johns Hopkins në Uashington u tha se një prani më e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësishme për përparimin e vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit euro-atlantik.
Po ashtu u tha se vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të tyre demokratike, raporton Zëri i Amerikës.
Në fund të diskutimit, Universiteti Johns Hopkins nderoi ish zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit, Brian Hoyt Yee për arritjet e tij gjatë karrierës diplomatike në Departamentin e Shtetit.