Analisti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka theksuar se, do të ishte mirë që i gjithë spektri politik në Kosovë të shkonin së bashku në bisedime me Serbinë.
Ai po ashtu ka theksuar se gjatë këtij viti Komisioni Evropian do të dal me një propozim konkret për liberalizimin e vizave, teksa ka shtuar se pengesë për këtë gjë mund të jenë vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Duke pasur parasysh se në Kosovë shumica e partive parlamentare nuk po e pranojnë që udhëheqës i dialogut të jetë presidenti Thaçi, dhe nëse mund të nisen negociatat pa arritur një konsensus të brendshëm politik, Serwer ka thënë se “do të ishte shumë më e preferueshme të shkonin në negociata të bashkuar”.
“Presidenti Thaçi ka virtytin e madh të njohjes së Vuçiqit nga negociatat e mëparshme. Por u takon kosovarëve, jo mua, për të vendosur se kush mund t’i përfaqësojë ata më së miri”, ka thënë Serwer në një intervistë për “Zëri”.
Ai më tej ka thënë se do të është shumë e rëndësishme që BE të marr vendim që kosovarët sivjet të lëvizin lirshëm, pa viza dhe se do të ishte i zhgënjyer nëse BE-ja nuk del me propozim konkret.
Serwer thotë se pesë vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur mund të jenë pengesë për liberalizimin e vizave, “por do të ishte një gabim nga ana e tyre”.
“BE-ja ka bërë një premtim. Duhet ta mbajë atë…”, tha Serwer.