Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot rreth 50 kamera të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në komunat me shumicë serbe, Kllokot, Partesh dhe Ranillug.
“Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan me datën 21.12.2023 në koordinim e prokurorinë e shtetit ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës kompetente në Gjilan në bazë të së cilës ka sekuestruar kamerat të cilat kanë qenë të vendosura në vende publike në komunat e Kllokot, Partesh dhe Ranillug të rajonit të Gjilanit. Sekuestrimi i kamareve është bërë për shkak të dyshimit të arsyeshëm për kryerjen e veprës penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ nga neni 202 i KPRK-së, në mbështetje të ligjit për Policinë e Kosovës me numër 04/L-076, neni 25 dhe ligjit numër 06/L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani.
Osmani gjithashtu njoftoi se në lidhje me këtë urdhër të Prokurorit të shtetit është iniciuar rasti për veprën penale ‘’Fotografimi dhe incizimet e tjera të paautorizuara’’ rast i cili vazhdon të hetohet nga sektori i hetimeve rajonale në Gjilan.
Lidhur me rastin, Telegrafi ka kontaktuar edhe me Prokurorinë në Gjilan, por deri tani nuk ka pranuar ndonjë përgjigje