
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sot do ta vizitojë Kosovën së bashku me ambasadaorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut.
Rutte do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën do të ketë edhe një konferencë për media.
Kurse, pas konferencës, do të ketë takim edhe me kryeministrin Kurti.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se si rezultat i vizitës, do të ketë masa shtesë të sigurisë në rrugët afër institucioneve ku do të kalojnë veturat e sekretarit të NATO-s.
“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurtra kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, shkruhet në njoftim.
Rutte një ditë më parë qëndroi në Sarajevë.