970×90
970×90

Seanca konstituive vazhdon nesër në 12:00 në Kuvend

Seanca konstituive vazhdon nesër në 12:00 në Kuvend

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër do të vazhdojë seanca konstituive, me fillim nga ora 12:00.

Seanca e së shtunës do të jetë vazhdimi i tretë i seancës konstituive, e cila dy herë radhazi dështoi të finalizohet pasi raporti i Komisionit për Verifikim mandatesh herën e parë s’ka marrë vota mjaftueshëm dhe herën e dytë s’është hedhur fare në votim.

Kryesues në këto seanca është deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari.

Në seancën që vazhdoi më 17 prill, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kundërshtuan që ajo të kthehet në pikën zero, duke kërkuar të vazhdohej me votimin e raportit që verifikon mandatet e deputetëve.

Për LVV-në, kjo ishte e papranueshme, që argumentoi se s’mund të votohet një raport që kishte dështuar të miratohej. Seanca u ndërpre për të vazhduar më 19 prill.

Kriza institucionale ka nxitur reagime nga ambasadorët ndërkombëtarë në Kosovë. Ambasadori britanik në Kosovë dhe ai gjerman u kanë bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka deklaruar se Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe Qeveri funksionale, derisa përmendi fakti se kanë kaluar mbi dy muaj prej procesit zgjedhor.

Ai ka shkruar në rrjetin social X se populli i Kosovës ka të drejtë të kërkojnë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”,

“Më shumë se dy muaj prej kur populli i Kosovës votoi në zgjedhje. Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të kërkojë që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku për interesat kombëtare”, ka thënë Hargreaves.

Ndërkaq ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka deklaruar se qytetarët kosovarë meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën “mbi politikën partiake”.

Ai thënë se nevojitet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar formimin dhe funksionimin e një qeverie të qëndrueshme.

“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake. Prandaj, e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, ka shkruar ai në rrjetin social “Bluesky”.

Related posts