Ruzhdi Shehu është kandidat për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kandidati për deputet në intervistën në vijim tregon se si mund të kontribuoj për qytetarët e Junikut dhe gjithë Dukagjinit.
Ndër tjera, Shehu thotë se do të jetë zëri I tyre në Kuvendin e Kosovës, e që junikasit për vite më radhë nuk kanë pasë një përfaqësues në Kuvend nga kjo anë.
Tutje, ai thotë se do të bëjë çmos që rinia e Kosovës të qëndrojë në vendin e tyre dhe të mos i ndjekun rrugët e mërgimit.
Në vijim mund ta ndiqni intervistën e plotë:
Prioritetet e juaja nëse do të bëheni deputet i ardhshëm i Kosovës, në fokus Junikun?
Ruzhdi SHEHU: Prioritete kryesore të mijat do të jenë: zhvillimi ekonomik dhe punësimi, sidomos i të rinjve. Për Junikun, Dukagjinin dhe Kosovën kryefjala ime do jetë punësimi të rinjve, zhvillimi, ekonomik, i turizmit dhe bujqësisë.
Për Junikun dhe Dukagjinin të trefishohet buxheti për mbështetjen/subvencionimin e BUJQËSISË. Të subvencionohen kamatat për kreditë bujqësore. Të ndërmerren investime të mëdha kapitale në sistemin e ujitjes, mbështetur edhe nga donatorët ndërkombëtarë. Të mbështeten investimet për ndërtimin e pikave grumbulluese të produkteve bujqësore dhe blegtorale, etj.
Do të angazhohem që në Junik të ngrihet infrastruktura që mundëson zhvillimin e turizmit duke ndërtuar rrugë dhe shtigje deri në lokacione të caktuara, përfshirë këtu zonën e Gjeravicës etj. Do të përgatitet harta turistike për Junikun dhe Dukagjinin etj Do angazhohem shumë edhe për arsimin e të rinjve, shëndetësinë etj. Gjithnjë i gatshëm për t’i përkrahur qytetarët, familjet e dëshmorëve, kategoritë e dalura nga Lufta Çlirimtare/ UÇK dhe shtresat e tjera të popullatës.
Po ashtu, ruajtja e pasurive pyjore, ujore dhe investimet në gjelbërimin e zonave, i shoh me prioritet të veçantë.
Pse duhet ta votojnë Ruzhdi Shehun, junikasit dhe banorët e rrafshit të Dukagjinit?
Ruzhdi SHEHU: Junikasit dhe në Dukagjin më njohin. Gëzoj autoritet dhe kam përkrahjen e qytetarëve, sepse kam të kaluar të pastër, pa afera korruptive dhe i pa inkriminuar. Kudo që shkoj e kuptoj se qytetarët më çmojnë si një kandidat kredibil, e shoh se e kam besimin dhe përkrahjen e plotë të junikasve, Dukagjinit e Kosovës. Kam qenë aktiv në të gjitha proceset që ka kaluar vendi ynë, që nga themelimi i LDK, pastaj në periudhën e organizimit të luftës. Në periudhën e pasluftës kam pasur nderin që të jam protagonist kryesor i themelimit të komunës së junikut, atëbotë isha në pozitën e shefit ekzekutiv të komunës.
Si deputet i ardhshëm i Kosovës dhe duke qenë person aktiv në politik në Junik, cili është problemi kryesor i kësaj zone, që ju do të angazhoheni për ta zgjidhur?
Ruzhdi SHEHU: Më dhemb zemra kur shoh se të rinjtë po ikin nga Juniku dhe po mësyjnë shtetet e Evropës. Tmerrohem kur dëgjoj rastet se po pakësohen nxënësit në bankat e shkollës, dhe po ikin jashtë Kosovës. Jam shumë i shqetësuar se vendi ynë po braktiset nga të rinjë të pa shpresë. Askujt nuk i duhet një junik i braktisur e pa qytetarë. Do të bëj çmos që me qeverinë e ardhshme të znj. Vjosa Osmanit, t’u kthehet shpresa të rinjve dhe të ndaloj trendi i emigrimit.
A i njihni problemet e përgjithshme të junikasve?
Ruzhdi SHEHU: Po. Jam junikas, e dukagjinas, bashkëjetoj me këto probleme njëjtë sikurse vendasit e mi.
Të gjitha fshatrat përrethë të Junikut e kanë përfaqësuesin e tyre në Kuvendin e Kosovës, veç Juniku jo, a keni përgjigjje, pse ?
Ruzhdi SHEHU: Kjo ka ndodhur si rezultat i gabuar i kalkulimeve të partive politike. Junikasit tash e kanë rastin, që duke më votuar mua të kenë zërin e tyre të fuqishëm në parlamentin e Kosovës.
Rinia e Junikut, pasive apo aktive?
Ruzhdi SHEHU: Juniku është vend me popullsi të re. Rinia është aseti kryesor që kemi. Këta të rinj dhe të reja po ballafaqohen me sfida të shumta për ta ndërtuar të ardhmen e tyre. Vetëm një në trembëdhjetë persona të moshës 16-24 vjeç është i punësuar, ndërsa norma e papunësisë për fuqinë punëtore të kësaj moshe sillet rreth 70%. Jo më shumë 75% e të rinjve të moshës 15-18 vjeç vijojnë arsimin e mesëm, ndërsa më pak se 20% e atyre të moshës 19-24 vijojnë arsimin e lartë. Diferencat në mes të meshkujve dhe femrave në arsim dhe punësim janë të mëdha, në disfavor të madh për femrat. Kjo situatë duhet të përmirësohet.
Çfarë do të bëjë Ruzhdi Shehu si deputet për të rinjët e Junikut dhe të Kosovës ?
Ruzhdi SHEHU: Do të angazhohem që TË RRITET PUNËSIMI I TË RINJVE, të kemi arsim për një rini evropiane. Do të krijojmë skema për mbështetje financiare të studentëve, si bursat, kreditë për studime dhe lehtësitë e tjera. Të kemi zhvillimin të ndërmarrësisë te rinia. Do të krijojmë fond të veçantë për nxitjen e ndërmarrësisë dhe punësimit tek femrat, etj. Punësimi do të jetë kryefjala e angazhimit tim.Do të insistoj në fuqizimin e rinisë në vendimmarrje. Do të promovojmë sportin, sepse Juniku di të jep sportistë – boksier me famë botërore. I kemi dy boksierë të famshëm, Luan Krasniqin e Robin Krasniqin.
Nëse bëheni deputet, a do t’ju përgjigjesh votuesve të juaj për problemet dhe hallet e tyre ?
Ruzhdi SHEHU: Po, natyrisht. Junikasit më njohin, se unë asnjëherë nuk i kam braktisur, as në momentët më të liga atëbotë kur digjej Kosova. Gjithnjë kam jetuar me ta dhe jam ballafaquar me hallet e njejta. Si deputet do të jam i gatshëm t’u përgjigjëm junikasve për çdo hall që kanë.
A jeton për politiken apo jeton nga politika ?
Ruzhdi SHEHU: Jo, nuk jetoj nga politika. Synimi im është që me dijen dhe përvojën time të ndihmoj në e rritjen e cilësisë së jetës së qytetarit dhe forcimin e vitalitetit të Kosovës si shtet demokratik e funksional.
A do ta lini mandatin e deputetit për pozitën e ministrit?
Ruzhdi SHEHU: Mandati i deputetit është synimi im. Që të jem zeri i fuqishëm i junikasve, qytetarëve të Dukagjinit dhe Kosovës. Kërkoj nga votuesit të ma japin besimin me 6 tetor, sepse u premtoj se nuk do t’i zhgënjej.
Shehu është i lindur më 15 shkurt 1961 në Junik/Kosovë, i martuar dhe prind i katër (4) fëmijëve. Edukimi: SH.M.U “Edmond Hoxha” në Junik SH.M. Gjimnazin “Vllezërit Frashëri” në Deçan Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” Studimet Postdiplomike (Master) në Fakultetin e Administratës Publike dhe Shkencave Politike të Universitetit të Evropës Juglindore. Përvoja e punës: Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – Udhëheqës i Sektorit për Sigurinë e Përgjithshme të Produkteve.