
Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë se Rusia nuk do të marrë më pjesë në Këshillin e Evropës, organizatë kryesore evropiane për të drejtat e njeriut, e cila ishte themeluar pas tmerrit humanitar të Luftës së Dytë Botërore.
Kremlini tha se anëtarët e NATO-s po e minojnë këtë institucion. Rusia ishte anëtarësuar në Këshillin e Evropës më 1996, pas aplikimit nga Boris Jelcini si përpjekje për ta ngulitur tranzicionin e Rusisë drejt demokracisë.
E drejta e përfaqësimit në këtë organ Rusisë iu pezullua më 25 shkurt, një ditë pas fillimit të sulmeve ndaj Ukrainës. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe më 2001, pas luftës së dytë çeçene, dhe më 2014, kur Rusia e aneksoi Krimenë nga Ukraina.