Ministri i Financave, Hekuran Murati në një postim të bërë në Facebook, përmes një grafike të publikuar ka thënë se ekonomia në vend ka vazhduar rritjen në tre mujorin e fundit të vitit të kaluar. Tutje ai shkruan se sipas të dhënave të ASK-së rritje reale e ekonomisë ishte në linjë me pritjet e Qeverisë.
Ministri Murati thotë se për tri vite qeverisë Kurti iu shtuan 2.9 miliardë euro, derisa me qeveritë e kaluara shtoheshin vetëm një miliardë.
“Ekonomia e vendit ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e katërt gjatë vitit të kaluar, duke dëshmuar qëndrueshmëri të bizneseve tona përballë sfidave të njëpasnjëshme. Sipas ASK-së, për TM4 2023 rritja reale e ekonomisë ishte 3.96%, gjë që ishte në linjë edhe me pritjet tona. Në grafikun më poshtë mund të shihni edhe krahasimin e performancës ekonomike të vendit nëpër vite. Përderisa me qeveritë e kaluara për 3 vite ekonomisë i shtoheshin vetëm 1 miliardë euro, me Qeverinë Kurti për periudhën e njëjtë ekonomisë i janë shtuar 2.9 miliardë euro, apo mesatarisht gati 1 miliardë në vit”, shkroi Murati në Facebook.
Mirëpo, ndaj kësaj grafike të publikuar nga Ministri Murati ka reaguar Berat Rukiqi i LDK-së.
Ai e ka quajtur të paaftë Ministrin dhe manipulues, pasi sipas tij krahasime të tilla nuk mund të bëhen nga një vit me inflacion .
Rukiqi tha se qytetarët po varfërohen dhe nuk po mund ta përballojnë jetën e shtrenjtë.
“Ja si manipulon një i paaftë i pushtetit. Një vit me recesion (rritje negative ekonomike), me aktivitet të pëergjysmuar ekonomik, e krahason me një vit me inflacion, me rritje çmimesh, rrjedhimisht me qarkullim të rritur, jo nga rritja reale e aktivitetit ekonomik, por nga rritja e çmimeve, në kurriz të qytetareve të vendit. Ministër,, qytetarët në hall, po marrin kredi dhe mbitërheqje në banka, me norma të larta të interesit, për të përballuar shpenzimet. Mbi 30000 qytetarë i janë shtuar listës të të varfërve. Këta qytetarë që nuk mund të përballojnë jetën e shtrenjtë, do të duhej të ishin brenga jpte, e jo manipulimi me grafikone. Fatkeqësisht, për vendin dhe qytetarët, ti je ndër të paaftit e shumtë në këtë qeveri”, ka shkruar Rukiqi në reagimin e tij në Facebook.