Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka dështuar të arrijë marrëveshje për transmetimin e ndeshjes hapëse të Kosovës në Ligën e Kombeve sot pasdite kundër Qipros, por shpreson se do të gjejë ujdi me ArtMotion për gjashtë vitet e ardhshme, ka mësuar Gazeta Nacionale.
Kosova do ta nisë edicionin e tretë të garës dytësore të UEFA-s sot në orën 18:00 në Larnaca, dhe për herë të parë ndeshja e Kombëtares së futbollit nuk do të shfaqet në ekranin e televizionit publik.
Të drejtat për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares së Kosovës i fitoi Digitalb edhe për territorin e Kosovës, platforma televizive nga Shqipëria, në një marrëveshje me UEFA-n deri në vitin 2028 dhe ArtMotion arriti më vonë marrëveshje me kompaninë shqiptare për transmetimin e tyre në territorin e Kosovës.
Burime të Nacionales brenda televizionit publik të Kosovës kanë mësuar se drejtuesit e RTK-së kanë disa javë që po bisedojnë me ArtMotion për fitimin e të drejtave televizive për gjashtë vitet e ardhshme.
“Sonte nuk e transmetojmë ndeshjen, por jemi duke punuar për të arritur marrëveshje gjashtëvjeçare për transmetimin e ndeshjeve të Kosovës”, ka thënë një burim i RTK-së për Nacionale.
RTK-ja nuk u fut fare në garë për t’i fituar të drejtat televizive për ndeshjet e Kosovës kur Digitalb arriti marrëveshje me UEFA-n në fillim të këtij viti.
Sipas burimit, televizioni publik nuk pa pasur para të mjaftueshëm për të garuar për fitimin e të drejtave të plota nga UEFA për transmetimin e ndeshjeve të Kosovës dhe tani i duhet të bisedojë me kompaninë private ArtMotion për këtë.
Nëse RTK-ja dështon sërish të arrijë marrëveshje për ndeshjet e ardhshme të Kosovës, atëherë kjo do të jetë hera e parë që ndeshjet e Kombëtares nuk shfaqen falas për publikun.
Në shumicën dërrmuese të vendeve, nëse jo në të gjitha, ndeshjet e Kombëtares gjithmonë shfaqen edhe falas në televizione publike, pavarësisht se a i ka fituar të drejtat apo jo edhe ndonjë platformë private në atë vend.
Kosova është pjesë e Grupit 2 në Ligën C – kategoria e tretë në këtë garë – bashkë me Qipron, Irlandën Veriore dhe Greqinë.
Trajneri Alain Giresse do të debutojë zyrtarisht në stolin dardan sot pasdite kur Kosova e viziton Qipron në ndeshjen hapëse të grupit, pasi e kishte udhëhequr kombëtaren dardane drejt një fitoreje dhe një barazimi në ndeshje miqësore në mars.
Tri ditë më vonë, më 5 qershor, verdhekaltrit e presin Greqinë në Prishtinë, pastaj Irlandën Veriore më 9 qershor po ashtu në kryeqytet.
Më 12 qershor Kosova udhëton drejt Athinës për t’u përballur me Greqinë në ndeshjen e kthimit dhe të fundit për këtë grumbullim.
Nuk është e qartë nëse RTK-ja do të arrijë t’i sigurojë të drejtat për transmetimin e tri ndeshjeve të tjera të Kosovës këtë muaj, megjithëse burimi thotë se ka shpresa se do të arrihet marrëveshje.