
Publicisti dhe aktivisti për paqe Howard Clark skicon rrugën e Adem Demaçit nga vitet ’50, kur shkroi romanin «Gjarpinjtë e Gjakut», «një dënim i fuqishëm i gjakmarrjes… por edhe një akuzë kundër shoqërisë që bën pak ose aspak për ta ndalë atë», deri në vitet ’90 kur u përpoq për një dinamikë të re politike në Kosovë. Detaje nga libri: «Civil Resistance in Kosovo», London, Pluto, 2000.
Demaçi ishte më i shquari nga ata që kërkonin më shumë aktivitet, për kërkesa më pak ambicioze, si mundësi për ta dinamizuar përpjekjen për pavarësi.
Nga
dp
14.05.2016 16:09
Arsimimi në gjuhën shqipe po krijonte potencialin për udhëheqjen e re në Kosovë. Arrestimi i parë i Adem Demaçit (i lindur më 1936) erdhi pas kritikave të tij ndaj politikës së «riatdhesimit» për në Turqi. Në nëntor të vitit 1958 u dënua me tre vjet burg, kurse më vonë do të jetë i burgosuri më i njohur politik. Pas lirimit nga burgu i parë e themeloi organizatën e fshehtë Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve – i pari grup i njohur i këtij lloji. Ai dhe liderët tjerë të këtij grupi u arrestuan në qershor 1964, me ç’rast Demaçi u dënua 10 vjet burg.
Faktor që ka ndikuar në ndjekjen e kursit të rezistencës paqësore në vitin 1990, ndoshta më i rëndësishmi, ka qenë një deklaratë e lëshuar nga Adem Demaçi – që kishte vuajtur 28 vite burg si i burgosur politik – në mbështetje të rezistencës së padhunshme dhe opozitës demokratike. Ai e përsëriste dedikimin e tij në librin «Gjarpinjtë e Gjakut» (1958): «Jo atyre që janë trima me e ngreh gishtin e krimit, por atyre që janë trima me e shtri dorën e pajtimit».
Romani i Adem Demaçit «Gjarpinjtë e Gjakut» thuhet të jetë «një dënim i fuqishëm i gjakmarrjes… por edhe një akuzë kundër shoqërisë që bën pak ose aspak për ta ndalë atë». Heroi i tij është një djalë i ri «i cili i thyen rregullat e jetës patriarkale me vendimin për të pa botën jashtë lëvozhgës në të cilën jeton».
Udhëheqësit e shquar të luftës për pavarësi – Rugova, Agani, Demaçi – gëzonin imunitet në kuadër të kufizimeve që ekzistonin atëherë. Me punë vullnetare dhe materiale të dhuruara, populli u ndërtoi shtëpi të mrekullueshme Rugovës dhe Demaçit.
Adem Demaçi, drejtues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në periudhën 1991-1996, thoshte se janë serbët ata që më kanë burgosur, por po ashtu, janë serbët ata që më kanë ndihmuar ta përballoj burgun.
Në maj të vitit 1993 Beogradi vendosë t’i mbyllë gazetat në shqip. Më 24 maj 1993, Adem Demaçi dhe Blerim Shala në ndërtesën e ndërmarrjes «Rilindja» futen në grevë urie «deri në vdekje», të mbështetur nga 250 gazetarë. Studentët dhe sindikatat dëshiruan të bashkohen, por Demaçi vendosi ta mbyllë grevën. Misioni i OSBE-së ndërmjetësoi një marrëveshje që i dha fund grevës 11 ditore. Gazetat në gjuhën shqipe mund të regjistroheshin, sipas Demaçit, me garancinë e misionit të OSBE-së.
Në vitin 1994 në prag të Kuvendit të LDK-së – i dyti me radhë – Adem Demaçi nisi sulmet ndaj LDK-së. «Organet politike të LDK-së janë të ngurtësuara dhe të bazuara në klishe që çdo kritikë e shohin si destruktive», thoshte Demaçi. Ai udhëhiqte KMDLNJ-në dhe qëndronte jashtë partive politike, por filloi ngadalë të dalë publikisht kundër Rugovës. Ai argumentonte për një kërkesë më «realiste» – republikë e barabartë në kuadër të RFJ-së, në vend të pavarësisë së plotë – ngaqë në situatën demobilizuese, «taktika është më e rëndësishme sesa strategjia».
Në fund të vitit 1996 për t’i dhënë fund monopolit politik të LDK-së, Adem Demaçi vendosë për t’u futë haptas në skenën politike, duke iu bashkuar si udhëheqës Partisë Parlamentare të Kosovës (PPK). Ai ishte i vetmi shqiptar i Kosovës, që mund të ofronte një alternativë ndaj Rugovës.
Vendimi i pritur gjatë i Demaçit për të hyrë në politikë, koincidon me aktivizimin e Presidentit Sali Berisha lidhur me situatën e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, me gjasë një taktikë diversive nga kriza shpërthyese për skemat piramidale brenda Shqipërisë. Televizioni në Tiranë transmetoi intervista të gjata kritike ndaj Rugovës – fillimisht Bujar Bukoshi, mandej Adem Demaçi, e menjëherë më pas shkrimtari Ismail Kadare, që të gjithë duke bërë thirrje për një strategji më aktive në Kosovë.
Kur nisën protestat studentore në Beograd kundër regjimit të Millosheviqit, për dallim prej udhëheqjes së LDK-së, Berisha dhe Demaçi mirëpritën trysninë për demokratizimin e Serbisë, madje Demaçi u dërgoi një letër mbështetëse. Gazeta Bujku e përqeshte letrën e Demaçit për «miqësinë» e tepruar ndaj pushtuesve serbë. Demaçi nuk ishte i vetmi që mendonte se shqiptarët duhet të mbështesin demonstratat në Beograd për hir të lehtësimit të zhvillimit dhe lirimit të kësaj lëvizje nga mitet nacionaliste, sidomos sa i përket shqiptarëve dhe Kosovës.
Në dhjetor 1996 studentët e UP-së kërkuan mbledhjen e Parlamentit të Kosovës me Adem Demaçin si anëtar të ri të tij (nëse nuk ndodhë kjo, të gjithë deputetët duhet të japin dorëheqje dhe t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës që e kanë mashtruar). Demaçi deklaroi se do të përpiqet ta mbledhë Parlamentin duke i mbledhur nënshkrimet nga deputetët e zgjedhur. Provoi, por dështoi të mblidhte mjaft nënshkrime.
Demaçi ishte më i shquari nga ata që kërkonin më shumë aktivitet, për kërkesa më pak ambicioze, si mundësi për ta dinamizuar përpjekjen për pavarësi. Referendumi i vitit 1991 e linte hapur çështjen e bashkëpunimit në federatën e re post-jugosllave – duke i dhënë hapësirë kështu advokimit të Adem Demaçit për Ballkaninë (fillimisht federatë e tri republikave të barabarta: Serbia, Mali i Zi dhe Kosova). Në shtator të vitit 1997 studentët e UP-së nisën për çdo mbrëmje shëtitjet në korzo, të cilave u bashkuan edhe kritikët e Rugovës, Adem Demaçi dhe stafi i gazetës Koha Ditore.
Në nëntor të vitit 1997 UÇK doli publikisht dhe deklaroi se koha e rezistencës paqësore ka kaluar. Më 8 dhjetor Demaçi kërkoi nga UÇK që të përmbahet nga sulmet e armatosura për t’i dhënë kohë politikanëve që ta gjejnë një zgjidhje paqësore. Demaçi u përpoq të krijoi një Forum Demokratik të të gjitha partive politike, por dështoi të siguronte pjesëmarrjen e LDK-së dhe partive satelite. Kur Rugova shpalli zgjedhjet e 22 marsit 1998, PPK deklaroi kandidimin e Demaçit, por të nesërmen Demaçi e mohoi kandidimin e tij.
Në gusht të vitit 1998 Demaçi u bë «zëri i UCK-së», pasi e braktisi projektin e tij për Ballkaninë. Në tetor të vitit 1998, pasi u arrit marrëveshja për armëpushim dhe vendosje të 2 mijë trupave të OSBE-së, forcat speciale serbe u detyruan të tërhiqen. Në këtë kohë, Demaçi, si përfaqësues i UCK-së, shkoi në Manastirin e Deçanit për t’u takuar me Atin Sava për ta siguruar se «nuk ka vend për frikë pas largimit të forcave speciale». Më 2 shkurt 1999, si përfaqësues politik i UÇK-së, shpjegonte pikëpamjen e tij se shkuarje në Rambuje nënkuptonte kapitullimin dhe se e ka këshilluar UCK-në që të mos shkonte në Rambuje dhe se as ai vet nuk do të shkonte atje. Sidoqoftë, UCK-ja nuk e përfilli këtë. Gjatë bombardimeve të NATO-s, Demaçi ishte arrestuar dy herë, por ndihej i lirë që të ecte rrugëve.
Përgatiti: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus