Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dje pasdite ka ndodhur një përleshje në fshatin Bibaj të Ferizajt, ku një person ka goditur me grusht dhe e ka rrëzuar për tokë një 50-vjeçar, i cili ka vdekur pasi nuk ka arritur t’iu mbijetojë plagëve.
Policia thotë se rasti ka ndodhur dje rreth orës 15:30, në parkingun e një pompe të derivateve në fshatin Bibaj të Ferizajt.
“Për motive ende të panjohura i dyshuari ka goditur me grusht në kokë viktimën (m/Kosovar 50 vjeçar) i cili ka ra me kokë në asfalt dhe nga ana e të dyshuarit është dërguar në ambulancë dhe i njejti –i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Viktima pas marrjes së ndihmës së parë është dërguar për në QKUK-Prishtinë ku rreth orës 00;45 nga ana e mjekut jemi njoftuar se viktima kishte ndërruar jetë”, njofton policia.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës dërgohet për obduksion në IML.
Policia thotë se hetuesit policorë janë duke punuar intensivisht për arrestimin e personit të dyshuar i cili është i njohur për policinë.