970×90
970×90

Robert Aliaj: Më diskualifikuan nga nata finale e “Kënga Magjike” si hakmarrje politike

Robert Aliaj: Më diskualifikuan nga nata finale e “Kënga Magjike” si hakmarrje politike

Artisti kontravers Robert Aliaj ishte dje personazhi më i komentuar në media për faktin se u fotografua me vajzën e tij Gala në mes të protestës të studentëve në rrugët kryesore të Tiranës, duke dhënë kështu shembullin personal pse duhet mbështetur kjo lëvizje të rinjsh.

Ai dha mesazhin e fortë për rininë shqiptare, që ajo mos të ndalet.

“Mos u ndalni, bëni diçka sot, që fëmijët tuaj të kenë diçka nesër! Unë ju përshëndes!”, tha Aliaj, ndërsa shoqërohej nga vajza e tij, e cila po ashtu foli para studentëve.

“Jam shumë e lumtur që të jem këtu mes jush!”, u shpreh e bija në anglisht.

Ndërkohë, vajza dhe bashkëshortja e tij Mimoza Dino kishin udhëtuar dje drejt Tiranës për të qenë të pranishëm sot në mbrëmje në Pallatin e Kongreseve në finalen e festivalit “Kënga Magjike”, ku Roberti merrte pjesë me këngën “Ah, ku më hodhi Zoti”.

Ai u duartrokit mjaft nga publiku me debutimin e tij, ndërsa qëndronte i ulur në skenën ku në formë pankartash shfaqeshin vargjet e këngës me tekst të Petrit Rukës, bazuar mbi poezinë “Anës lumenjve” të Fan S. Nolit dhe muzikë e orkestrim të Adrian Hilës.

Por, ndërkohë që të gjithë prisnin ta shihnin në finale Robertin, për “Panorama Plus” ai dha lajmin se nuk do të jetë pjesë e finales, një skualifikim ky i bazuar në votat e kolegëve këngëtarë në garë. Se si u ndie kur mori vesh lajmin se nuk do të jetë në finale, Roberti tregoi për “Panorama Plus”.

“Kënga është krejtësisht protestë, është këngë barrikadash, proteston realitetin kaotik të politikës. Mosvotimi i këngës sime me titull “Ah, ku më hodhi Zoti” është dëshmi e qartë se si politika ka indoktrinuar edhe artistët. Ata nuk donin të më shihnin në finale, pasi nuk donin të shihnin të triumfonte mesazhi i fortë që jap me këtë këngë. E si përfundim, duket qartë se si triumfoi armata e tallavasë shqiptare në muzikë, si triumfoi sistemi i kanibalizmit politik që është shtrirë kudo”, tha Roberti ndër të tjera.

Në fakt, kënga e tij mori vëmendje të madhe mediatike, pasi “Ah, ku më hodhi Zoti” u komentua si një dedikim për situatën politike, ekonomike e sociale në vendin tonë. Robert Aliaj prej disa vitesh i kishte munguar skenës muzikore në vend dhe ky ishte një rikthim, përveç pjesëmarrjes në spektakle televizive, si në jurinë e garës VIP “Dance with me”.

Pasi u prit me ovacione në sallën e “Kënga Magjike”, dhe mori shumë komente pozitive në rrjetet sociale, vetë artisti vendosi të bënte një postim në llogarinë e tij në “Instagram”, ku të shpjegonte edhe ndjesitë e tij për këtë krijim, duke specifikuar faktin se kënga e tij është këngë barrikadash dhe jo këngë kompromisesh.

Related posts