
Republika e Kosovës dhe Republika Demokratike e Timorit Lindor sot nënshkruan marrëveshje për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Marrëveshja u nënshkrua në New York, në ambientet e Misionit Permanent të Republikës Demokratike të Timorit Lindor pranë OKB-së.
Në emër të Republikës së Kosovës, marrëveshjen e nënshkroi Ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës ne Nju Jork, ndërsa në emër të Republikës Demokratike të Timorit Lindor marrëveshjen e nënshkroi Ambasadori Karlito Nunes, Përfaqësues i Përhershëm i Timorit Lindor në OKB.
Në komunikatën e përbashkët thuhet se Marrëdhëniet Diplomatike arrihen me qëllim të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si në atë politike, ekonomike, tregtare, kulturore dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët, sipas parimeve të Kartës së OKB-së dhe normave të së Drejtës Ndërkombëtare.
Po ashtu, në të thuhet se vendosja e Marrëdhënieve Diplomatike përkon me interesin e të dy shteteve për forcimin e mëtejmë të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Me nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve, Republika e Kosovës vazhdon forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.
Në këtë kohë të sfidave globale dhe agresionit me të cilin po përballet bota demokratike, forcimi i pozitës tone diplomatike anekënd botes është i një rëndësie të veçantë, prandaj Republika e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj për të vendosur marrëdhënie diplomatike edhe me vende të tjera njohëse, për të forcuar marrëdhëniet bilaterale me interes të përbashkët.