Shkruan: Blinera Osmani
Në një botë ku zhvillimi ekonomik është në qendër të vëmendjes, ligji për investime të qëndrueshme siguron një rrugë të ndritshme drejtë një ekonomie të qëndrueshme. Ky shkrim synon të theksojë rëndësinë e këtij ligji nga perspektiva juridike, duke analizuar përfitimet dhe sfidat që sjell për investitorët, kompanitë dhe shoqërinë në përgjithësi.
Në Kosovë, në tetor të këtij viti është miratuar në Kuvend Ligji për Investime të Qëndrueshme, gjithsesi i njëjti ende nuk ka hy në fuqi për shkak se partitë opozitare kanë dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese, rrjedhimisht projektligji nuk procedohet nga ana e Kuvendit për shpallje tek Presidentja e Republikës së Kosovës, deri në një vendim përfundimtar nga ana e Gjykatës.
Përkundër faktit që Kosova bënë thirrje të vazhdueshme për investime strategjike në fusha të ndryshme siç janë: Infrastrukturë, energji, teknologji dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, deri tani nuk ka ndërtuar mekanizma mbrojtës për këto investime, kështu duke mos ofruar siguri juridike për investitorët.
Miratimi i Ligjit për Investime të Qëndrueshme mund të ketë një ndikim të madh në ekonominë e një vendi, sepse krijon një mjedis të favorshëm për investitorët që këta të fundit të bëjnë investime të mëdha dhe afatgjata në sektorë të caktuar. Investime të cilat natyrisht se shoqërohen me krijimin e vendeve të punës, e që rrjedhimisht kontribuon direkt në zvogëlimin e papunësisë.
Përfshirja e aspekteve të qëndrueshme për investime mund të inkurajojë investimet në projekte që janë të mira për mjedisin dhe shoqërinë në përgjithësi. Kështu duke përshirë investimet në burime të rinovueshme, efikasitetin e energjisë, dhe projekte të tjera që përmirësojnë qëndrueshmërinë. Investimet te mëdha në fusha të caktuara, zakonisht kanë një efekt pozitiv në rritjen ekonomike të një vendi dhe mund të katalizojnë zhvillimin e sektorëve të ndryshëm dhe të ndihmojnë në rritjen e prodhimit bruto të brendshëm.
Përkundër të gjitha të mirave që ky ligj i sjell ekonomisë së një vendi, megjithatë, duhet të shoqërohet nga një zbatim efektiv dhe monitorim për të siguruar se investimet janë të drejtpërdrejta dhe të përdorura në përputhje me qëllimet dhe standardet e përcaktuara në ligj. Nëse këto investime janë të menaxhuara me sukses, ato mund të ndihmojnë në përmirësimin e kushteve ekonomike dhe sociale në vend. Sipas projektligjit për Investime te Qëndrueshme, i njëjti parasheh mbrojtjen dhe sigurinë ndaj investitorëve, shqyrtimin e kujdesshëm të investimeve në sektorët prioritarë, kolegjin e Apelit, kujdesin e vazhdueshëm ndaj investitorëve dhe përzgjedhjen e veçantë të investitorëve. Gjithsesi, këto mekanizma mbrojtës duhet të gjejnë zbatueshmëri në praktikë, në të kundërtën shumë lehtë investimet strategjikë mund të sjellin evekte negative për komunitete të caktuara apo përfundimisht edhe për vet investitorin.
Është jetike të sigurohet që të anashkalohen ndikimet negative eventuale që mund të dalin si rezultat i mos implementimit të duhur në praktik të Ligjit për Investime të Qëndrueshme, siç janë ndikimi negativ në mjedis, mungesa e transparencës dhe llogaridhënies, diskriminim i investitorëve, pabarazi financiare në komunitete të ndryshme etj. Prandaj, është e rëndësishme që një Ligj për Investime të Qëndrueshme të përfshijë mekanizma të fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit, respektimin e të drejtave të njeriut, përfshirjen e komuniteteve lokale, dhe një menaxhim të përgjegjshëm të investimeve për të parandaluar ndikime negative. Rrethana të cilat urojmë që t’i ketë parasysh edhe Gjykata Kushtetuese gjatë shqyrtimit të Ligjit dhe të del me sugjerime konkrete, në rast se konstatohet që dispozitat e tanishme nuk reflektojnë një mbrojtje nga këto efekte negative, të cilat në shumë vende kanë rezultuar që kanë shkaktuar pasoja të mëdha në ekonomi.
Përfundimisht, ligji për investime të qëndrueshme është një instrument i fuqishëm në drejtim të një të ardhmeje të qëndrueshme. Avokatët/Përfaqësuesit Ligjor, luajnë një rol kyç në ndihmën e klientëve të tyre për të kuptuar dhe zbatuar me sukses këto parime, duke kontribuar në zhvillimin e një shoqërie dhe ekonomie të qëndrueshme për të gjithë.