Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj në një konferencë për media është pyetur edhe rreth deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti se prokurorët mund ta intervistojnë atë vetëm në qeveri, në një orar të dakorduar nga palët, shkruan Gazeta Projekti.
Ashtu si KPK-ja sot, edhe Isufaj ka theksuar se ligji është i barabartë për të gjithë qytetarët, e edhe për zyrtarët e lartë shtetëror.
Ai madje i bëri thirrje edge Qeverisë që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit, ndërsa shtoi se “sjam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë”.
“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë, prandaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike përfshirë Qeverinë që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë, po flas për atë që unë e ndij dhe që mendoj se duhet bërë”, tha Isufaj para gazetarëve.
Rrreth deklaratave të pushtetit, se në të kaluarën ka pasur raste kur prokurorët kanë shkuar në zyre më parë për kryeministra tjerë, Kryeprokurori i Shtetit tha se nuk ka informacione të tilla.
“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë por unë nuk e di. Të paktën përderisa unë po bëhen 5 vite që jam kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla s’kemi pasur”, tha Isufaj.
Për thirrjen e prokurorisë, Kurti mbrëmë tha se nuk i është përgjigjur thirrjes së Prokurorisë Speciale për intervisim si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, pasi sipas tij, qëllimi është që vetë ai të bëhet lajm ndërkombëtar duke hyrë në objektin e Prokurorisë.
Kryeministri e akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, të cilin e quajti “regjisor” të asaj pamjeje që Kurti nuk po e pranon ta bëjë.
“Pikërisht ky prokurori (Blerim) Isufaj, ky është regjisori i një pamjeje kur unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri hyn në Prokurori të intervistohet për një rast të korrupsionit. Aty nuk thuhet që si dëshmitar. Ky është qëllimi”, tha Kurti mbrëmë në KTV.