
Ylli francez, Antoine Griezmann, vazhdon të mbetet lojtari më i kërkuar i rivalëve të Atletico Madridit, Real Madridit, përkundër faktit se ai nuk pranoi të largohet këtë afat kalimtar, duke nënshkruar kontratë të re më klubin.
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, është i gatshëm të shpenzojë deri në 200 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e yllit francez të Atletico Madridit, Antoine Griezmann, transmeton Gazeta Express.
Këtë verë, Griezmann i ndihmoi Kombëtares së Francës të triumfojnë në turneun e Kupës së Botës në Rusi, ku ata edhe u shpallën kampionë. Megjithatë kjo nuk kishte qenë e vetmja gjë e rëndësishme për Griezmannin këtë verë. Ai gjithashtu kishte marrë vendimin për të ardhmen e karrierës së tij.
Gjatë këtij afati kalimtar, ai ishte kërkuar nga klubi katalonas, Barcelona, dhe raportohej se ai ishte shumë afër transferimit. Megjithatë, më vonë ai publikoi një video ku e sqaronte se kishte marrë vendim për të qëndruar në Madrid, pasi që i besonte trajnerit Diego Simeone dhe projektit që kishte Atletico Madrid.
Një gjë të ngjashme më këtë, Griezmann e kishte bërë edhe verën e kaluar, ku dukej se do të transferohej në Manchester United. Ai kishte thënë edhe vetë në intervista se ishte afër transferimit te “Djajtë e kuq”.
Megjithatë, ai vendosi të mos largohej pasi që Atletico ishte dënuar nga UEFA për shkak të shkeljes së rregullave të transferimit të lojtarëve, dhe për këtë arsye ata nuk do të kishin mundësi të blinin lojtarë të rinj. Pasi që nuk kishin mundësi ta zëvendësojnë Griezmannin nëse ai largohej, francezi vendosi që të qëndrojë.
Megjithatë, Real Madridi është i gatshëm të luftojë më shumë se Barcelona dhe Manchester Unitedi për ta transferuar Griezmannin, pasi që drejtuesit e klubit mendojnë se francezi do të mund ta plotësojë hapësirën e lënë bosh nga largimi i Cristiano Ronaldos në repartin e sulmit.
Cristiano Ronaldo u largua nga Real Madridi këtë verë dhe iu bashkua skuadrës së Juventusit për 112 milionë euro. Ai i kishte shënuar 450 gola në 438 ndeshje për madrilenët, dhe që nga largimi i tij, Real Madridi nuk ka blerë lojtarë të rinj për ta zëvendësuar atë. /Gazeta Express/