Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar për aksionin e mbajtur nga Policia e Kosovës kundër grabitësve sot në Prishtinë, ngjarje kjo që lidhet me grabitjen e një argjendarie një javë më parë në Suharekë.
Sveçla përmes një postimi në Facebook, ka thënë se rreth këtij aksioni i ka dhënë mbështetjen e plotë institucionale zyrtarëve policorë.
“Një javë më parë vendi ynë u terrorizua nga një plaçkitje e armatosur nga persona të maskuar në qendër të qytetit të Suharekës, ku një zyrtar policor mbeti i plagosur dhe një i lënduar. Akte të tilla janë absolutisht të papranueshme dhe përgjigjja e vetme ndaj kriminelëve të tillë është sjellja para drejtësisë. Për këtë, Policisë së Kosovës i kam ofruar mbështetjen time të plotë institucionale si dhe kam kërkuar angazhim maksimal në zbardhjen e këtij rasti.” – ka shkruar ai.
Tutje Sveçla ka thënë se pas këtij aksioni janë arrestuar tetë persona, dhe i njëjti i ka dëshiruar shërim të shpejtë dy policëve të plagosur dhe njërit të lënduar.
“Sot jam njoftuar që Policia e Kosovës pas një pune intensive hetimore ka lokalizuar plaçkitësit dhe ka realizuar operacionin e arrestimit të tyre. Njëri nga të dyshuarit ka shtënë drejt zyrtarëve duke plagosur një zyrtar policor dhe me këtë rast i njëjti është neutralizuar. Deri më tash janë arrestuar tetë persona ndërsa Policia është në kërkim të personit tjetër të përfshirë në këtë rast. Dy zyrtarëve policor të cilët janë plagosur dhe zyrtarit të lënduar në reagim dhe arrestim të të dyshuarve të këtij rasti ju uroj shërim të shpejtë.” – ka shkruar ai.
Në fund ka thënë se vendi i kriminelëve është në burg, dhe se në Kosovës krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar.
“Vendi i kriminelëve është burgu, dhe ky është mesazh i qartë dhe i prerë që duhet të marrë kushdo që tenton që për çfarëdo arsye të destabilizojë sigurinë në vendin tonë. Krimet nuk do të mbesin pa u ndëshkuar sepse Republikën e Kosovës nuk do ta lejojmë të bëhet vend i pasigurisë. Rendi dhe ligji do të mbizotërojnë në çdo cep të saj.” – ka përfunduar ministri i MPB-së.