Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj kryetares së Gjykatës së Elbasanit, pas disa videove të postuara në rrjetin social “TikTok” të Enkeleda Kapedanit.
“Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u njoh me materialet filmike të shpërndara në media mbi magjistraten E.K, kryetare e Gjykatës Elbasan. Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj magjistrates për rastin”, thuhet në njoftimin e ILD.
Ndërkohë, gazetarja e A2 Belinda Ruçaj kontaktoi gjyqtaren, e cila u shpreh se nuk ka asnjë përgjigje lidhur me nisjen e hetimeve nga ILD, ndërsa theksoi se nuk e di se kush i ka shpërndarë videot. “Unë nuk kam TikTok”, tha Enkeleda Kapedani.
Në portale janë shpërndarë disa video, ku Enkeleda Kapedani shfaqej duke “sfiluar” në zyrë, ndërsa në disa të tjera duket teksa drejton makinën dhe ekspozon veshjet e saj.