970×90
970×90

Reagon Komuna e Deçanit: I arrestuari për ryshfet është nënpunës i Ministrisë së Brendshme, jo zyrtar i komunës

Reagon Komuna e Deçanit: I arrestuari për ryshfet është nënpunës i Ministrisë së Brendshme, jo zyrtar i komunës

Komuna e Deçanit ka reaguar pas raportimeve për arrestim të një nënpunësi civil nën dyshimet për marrje ryshfeti.

Për ta hequr barrën nga vetja, nga kjo komunë kanë bërë me dije se i arrestuari H.I., nuk është zyrtar në institucionin e komunës së Deçanit, por është nënpunës në Qendrën e veçantë të Regjistrimit Civil, që funksionon nën menaxhimin e MPB-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Komuna e Deçanit nuk ka asnjë përgjegjësi për funksionimin apo administrimin e kësaj Qendre, sepse ata menaxhohen nga MPB-ja dhe ndarja e përgjegjësive është e qartë, madje ata kanë edhe objektin e tyre të veçantë të punës”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Madje, është theksuar edhe se angazhimi i të dyshuarit në këtë komunë ka qenë i përkohshëm, dhe se tashmë i njëjti është bartur në Komunën e Junikut.

“Për informata tjera besojmë që do të përgjigjen zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, MPB-së, pasi që është zyrtar i kësaj Ministrie, i angazhuar për një periudhë kohore në Komunën e Deçanit, e tani në Komunën e Junikut”, thuhet tutje.

Për arrestimin e 59-vjeçarit ka njoftuar Policia e Kosovës, pasi dyshohet se derisa po kryente shërbime në Qendrën për Regjistrim Civil, kishte marrë ryshfet nga dy mërgimtarë.

Related posts