
Aktori Enver Petrovci ka tronditur opinionin publik me gjuhën e tij kontroverse gjatë një interviste në emisionin “Show i së Premtës me Adelina Ismajlin” në RTK, ku ka fyer rëndë ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklaratat fyese të Petrovcit shkaktuan reagim të ashpër gjatë ditës.
Teksa ka folur me terma superlativë për kryeministrin e Kosovës Ablin Kurti, Petrovci me një gjuhë përçmuese tha se “këta të tjerët lufta i ka bërë”, duke shtuar se pa luftë do të ishin “do mësuesa do badigarda”.
“Këta të tjerët i ka lind koha. Lufta i ka ba këta. Këta kurrë gjë s’kishin qenë, po mos të kishin qenë në luftë. Kishin qenë do mësuesa do badigarda. Kurrë gjë s’kishin qenë hiç. Kishin kalu afër nesh… në televizion s’kishin mujtë me hi. Këta i ka bë koha. Albini u bë vetë”, – ka thënë Petrovci.
Pas fjalëve në thelb përçmuese që aktori Petrovci bëri ndaj ish-krerëve të UÇK-së, opinionisti Fitim Salihu nxori një intervistë të Petrovcit në gazetën serbe “NiN”, ku ai, përmallueshëm flet se si shqiptarë dhe serbë shëtiteshin korzës “kurse selakët qëndronin anash”.
“Enver Petrovci eshte prototipi i ketij pushteti dhe frymes qe promovon ai. Jo rastesisht ai fyen kreret e UÇK-se derisa i lavderon Albinin e Vjosen.Mos u beni kishe po çuditni me Enver Petrovcin. Ju, mbi 70 mije shqiptare, e keni votu Donika Gervallen pasi i ka quajtur publikisht kreret e UÇK-se kriminele e vrases. Mu pas ketyre deklaratave, Albin Kurti e ka bere Doniken ministre te jashtme“, shkroi ai ndër të tjera.
Në kontekst të deklaratave skandaloze reagoi edhe gazetari Lirim Mehmetaj, i cili tha se është pikërisht Enver Petrovci ai i cili e luajti rolin e Car Llazarit kur edhe aktorët serbë e refuzuan, për shkak se ishin kundër regjimit të Millosheviçit.
“Kur aktorët serbë, për shkak se ishin kundër regjimit të Slobodan Millosheviç-it kishin refuzuar ta luanin rolin e mbretit serb Car Llazarit, atë rol e pranon vetëm një aktor – Enver Petrovci. Drejtori i teatrit të Nishit, meqë s’kishte opsione tjera, ia beson rolin Petrovcit, i cili e luan me krenari”, – shkoi Mehmetaj ndër të tjera
Gazetari Ilir Mirena ka reaguar ndaj fjalëve përçmuese që Enver Petrovci foli ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, duke i quajtur ata njerëz që erdhën rastësisht në shprehje, dhe se ata “i bëri lufta”, përndryshe do të ishin vetëm badigarda.
Ndërsa gazetari Ilir Mirena ka pyetur Petrovcin se “kush ta ndaloi ty me kap armën e me luftu për vend tandin?”.