
Aksionari i klubit të Ferizajit dhe njëherësh anëtar i bordit, Fatmir Grainca, ndodhet në arrati nga drejtësia.
Grainca raportohet se është në kërkim nga Policia e Kosovës. Ai dyshohet për përfshirje në aferën “Brezovica”.
Aksionari i klubit të Ferizajit, i cili momentalisht garon në Ligën e Parë dhe synon inkuadrimin në Superligë, dyshohet të jetë i përfshirë në ndërtimet e paligjshme brenda zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit.
Shtëpia e Graincës është bastisur mëngjesin e së premtes në kuadër të aksionit “Brezovica 3”, mirëpo sipas Paparacit i dyshuari nuk u gjet në shtëpi.
Përpos klubit të Ferizajit, Grainca ka në pronësi edhe aksionet e kompanisë që merret me tregtinë e karburanteve, HIT Petrol dhe N.T.P. KONSUM-F.G, e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve.
Në një njoftim për media të shtunën, Prokuroria e Shtetit konfirmoi të ketë kryer bastisje në katër lokacione të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe në Komunën e Ferizajt, ku ka rezidencën biznesmeni Grainca.
“Janë bastisur pesë lokacione: një në Lipjan, një në Skenderaj e pesë të tjera në Prishtinë”, tha të premten, disa orë pas realizimit të aksionit, Rasim Maloku, Kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.
Gjykata Themelore në Ferizaj, caktoi të shtunën masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tetë të dyshuarve në rastin “Brezovica 3”.
Ndryshe, pos Graincës edhe një tjetër biznesmen i njohur raportohet së ndodhe në arrati, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Fjala është për Abedin Salihu nga Lipjani, pronar i kompanisë së ndërtimit “Dino” dhe hotelit “Brezovica”.