Agjencia Inteligjente e SHBA-së CIA ka publikuar së fundmi një raport të ri për Ballkanin, ku e cilëson si një “eksploziv gati të shpërthejë”.
Duke u ndalur tek të gjitha vendet, CIA shkruan në raportin e saj se Shqipëria mbetet vend kyç i pastrimit të parave, trafikut të armëve, narkotikëve dhe emigrantëve.
Sipas Agjencisë Inteligjente amerikane, vendi ynë vijon të ketë probleme me pastrimin e parave, si dhe kanale për kontrabandën e narkotikëve dhe armëve. Për CIA-n, Shqipëria konsiderohet akoma si një vend kyç i prodhimit dhe trafikimit të kanabisit si dhe një pikë aktive për tranzitin e drogërave.
Ndërsa për agjencinë amerikane, Serbia dhe Mali i Zi po bëhen strehë e organizatave të frikshme terroriste nga e gjithë bota.
CIA thotë se Serbia nuk i zgjidhi problemet kufitare me Kosovën, Kroacinë dhe Bosnjen . Raporti i CIA-s gjithashtu thotë se rruga për të transportuar heroinë nga Azia në Evropë kalon nëpër Serbi dhe se ekonomia e saj është e ndjeshme ndaj pastrimit të parave.
Raportin e ka bërë të ditur e përditshmja më e madhe e Podgoricës Vijesti.