Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj gjatë qëndrimit në Londër ku po merr pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor është takuar me shumë emra të njohur.
Ai është takuar dhe ka zhvilluar një bashkëbisedim me kryeministren e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May.
Përveç krerëve të shtetit, Haradinaj është takuar edhe me emra tjetër njohur nga fusha e artit.
Njëra ndër to është edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, me të cilën është takuar gjatë mbrëmjes së sotme (e martë).
Ka qenë këshilltarja e kryeministrit, Meliza Haradinaj-Stublla, ajo e cila ka publikuar një fotografi në InstaStory gjatë takimit të Ramushit me këngëtaren shqiptare.
Nga fotografia në fjalë duket se Haradinaj i ka dorëzuar edhe një mirënjohje Ritës, e cila e ka pranuar me buzëqeshje.
Kujtojmë që Rita u takua me kryeministrin për herë të fundit kur ishte në Kosovë më 17 shkurt, me rastin e kremtimit të 10 vjetorit të Pavarësisë.
Artistja Ora është një prej emrave më eminentë në tregun britanik, dhe është shquar gjithmonë si njëra ndër ambasadoret më të mira të Kosovës – si rrjedhojë ajo numëron mirënjohje e dekorime të shumta nga krerët e lartë të shtetit, duke kujtuar këtu dekoratat nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, dhe presidenti aktual, Hashim Thaçi. /Telegrafi/