
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, pas intervistimit në Hagë, ku ka shkuar si i dyshuar nga Gjykata Speciale, përveç tjerash, para mediave ka folur edhe për atë se çfarë duhet të ndodhë tash me inistitucionet qeverisëse pas dorëheqjes së tij.
Ai ka insistuar që vendi të shkojë në zgjedhje, dhe ka thënë se është në dorën e Presidentit që ta shpërbëjë Kuvendin dhe t’i shpall ato.
Haradinaj ka thënë se do të ofrojë kontributin e tij si kryetar partie, nëse i kërkohet nga Presidenti apo Kryeparlamentari për të caktuar datën e zgjedhjeve, apo formulën e shpërbërjes së Kuvendit, shkruan reporteri.net.
“Zgjedhjet nuk janë më temë e imja, unë i kam kryer detyrat e mia, dhe jam vetëm një kryetar partie tani. Nëse Presidenti na thirrë në konsulta për datën e zgjedhjeve, ose Kryeparlamentari për ta gjetur formulën e shpërbërjes së Kuvendit, unë e jap kontributin tim, por tani ajo është, por ajo tash është kompetencë e Presidentit”, ka thënë Haradinaj, para mediave, pas daljes nga zyrat e Gjykatës Speciale në Hagë.
Ai duke folur për paraqitjen e tij në Gjykatë, ka thënë se aty është paraqitur vetëm si Ramush, dhe jo si kryeministër, dhe ka kërkuar që ky gjest të vlerësohet, pasi sipas tij, po të shkonte atje pa dhënë dorëheqje, Kosova do të dilte shumë keq para opinionit botëror, pasi të gjitha mediat botërore do të shkruanin se Kryeministri i Kosovës, po intervistohet për krime, e në këtë rast, ato sipas tij, më nuk e kanë këtë mundësi.