970×90
970×90

Ramush Haradinaj e mori me vete Ardian Gjinin, aty i priste Kurti dhe Bislimi

Ramush Haradinaj e mori me vete Ardian Gjinin, aty i priste Kurti dhe Bislimi

I vetmi ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai që iu përgjigj ftesës së kryeministrit Kurti. Haradinaj në orën 12:00 mësyu Qeverinë e Kosovës bashkë me nënkryetarin e AAK-së, Ardian Gjini. Në takimin që zgjati më shumë se një orë, po del se u diskutuan nenet e marrëveshjes finale me Serbinë.

Pas takimit, Ramush Haradinaj tregoi në detaje se çka u diskutua.

Ai nuk e përmendi draft-statusin e publikuar dje, por tha se takimi kishte përmbajtje.

“Tema ishte marrëveshja finale me Serbinë për njohje reciproke. I diskutuam procesin, marrëveshjen e sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Pra ishte një takim me përmbajtje. Në diskutim, për të gjitha nenet e marrëveshjes kemi provu me e dhanë kontributin tonë si Aleancë në mënyrë që Kosova në këtë proces të arrijë sukses”,tha Haradinaj, raporton gazeta Nacionale.

Ai tha se procesi i dialogut duhet ta ketë vulën e Amerikës.

“Duhet të vazhdojmë më tutje bashkë me aleatët tanë, Amerikën dhe aleatët evropianë. Ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës, jo vetëm përkrahjen. Kërkesë e imja ishte që si garanci për këtë proces të jenë Shtetet e Bashkuara”, tha Haradinaj.

“Ajo që është e rëndësishme në këtë proces, ky proces duhet ta ketë edhe vulën e Amerikës, jo vetëm përkrahjen e Amerikës. Duhet të nënshkruhet të paktën edhe nga niveli i njëjtë amerikan. Nuk mund të konsiderohet i sigurt edhe pa nënshkrimin dhe vulën e Amerikës, e duhur do të duhej të ishte që të ndodhë edhe në Uashington”, ka thënë Haradinaj.

“Zero”, është përgjigjur Haradinaj, kur u pyet nga gazetarët nëse AAK-ja do të bëhet pjesë e vendimmarrjes për marrëveshjen finale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka ftuar për takim të premten liderët opozitarë, mirëpo vetëm Haradinaj i është përgjigjur pozitivisht ftesës.

Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje të reja për takimin ndërmjet kryeministrit Albin Kurti e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Në këtë takim përmbajtësor në të cilin Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendës-kryeministri i parë, Besnik Bislimi, u diskutua për procesin e dialogut, idetë, modelet dhe opsionet për elementet kryesore të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilat po qarkullojnë nga e nëpër kancelaritë perëndimore e demokratike, e që në këtë periudhë funksionojnë si sprova dhe testime”, thuhet në komunikatë.

“Kryeministri Kurti e njoftoi kryetarin e AAK-së, z.Haradinaj për takimet në Bruksel dhe Prishtinë, konstruktivitetin dhe kreativitetin e Kosovës përgjatë gjithë procesit të bisedimeve, i cili duhet përmbyllur me normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”,bëhet e ditur më tutje.

Kryeministri Kurti e falënderoi kryetarin e AAK-së z.Haradinaj për interesimin e vazhdueshëm dhe të qenurit aktiv për këtë çështje.

Refuzimi nga Krasniqi e Abdixhiku

Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kryeministri Kurti i ka ftuar në takim liderët opozitarë. Këta të fundit kanë refuzuar të shkojnë në takimin e paraparë të mbahet sot. Vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për takim.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, përmes një videoje në profilin e tij në “Facebook”, ka thënë se kryeministri duhet të raportojë në Kuvend për procesin.

“Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye të na ftoni për çështje teknike, ndërsa kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinionin publik po qarkullon një dokument që e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerë ndërkombëtarë. Po ju po e fshehni këtë fakt prej institucioneve dhe prej qytetarëve. Po ashtu, ju nuk po i tregoni as elementet e atij dokumenti dhe as qëndrimin tuaj për këtë çështje të rëndësishme për të ardhmen e vendit”, ka thënë Krasniqi.

Për një dokument që ka kryeministri ka folur edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Ai ka thënë se Albin Kurti posedon një dokument të cilin askush tjetër në Kosovë nuk e ka.

“Kemi parë dokument, por dokumenti i vetëm zyrtar secili ka besim se është i duhuri, është ai që e ka kryeministri në dorë dhe nuk e ka askush tjetër në Kosovë. Në Serbi, aktin e presidentit Vuçiq, ai nuk e ka pranuar, ka thonë “nuk kom nevojë me marrë këtë dokument”. E ka parë dhe i ka thënë emisarëve “nuk kam nevojë me pranu këtë dokument, unë dhe askush në Serbi”, ka deklaruar Haziri në debatin “Politiko”.

Një ditë me parë, gazeta Nacionale publikoi një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin nuk e ka komentuar kryeministri Albin Kurti.

Drafti, i cili është hartuar nga ekspertë gjermanë, parasheh që statuti të këtë një autonomi të zgjeruar për serbët e Kosovës.

Emisari i Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, deklaroi pak ditë më parë se marrëveshja Kosovë – Serbi është çështje javësh.

Escobar-i kërkoi që edhe vendimi i Qeverisë për konvertimin e targave të shtyhet për 10 muaj. Megjithatë, për këtë temë ai konfirmoi se nuk ka marrë ndonjë premtim nga pushteti në Kosovë.

Si afat i fundit për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë – Serbi është përmendur data 24 shkurt.

Related posts