Avni Thaqi, një qytetar nga Kramoviku i Rahovecit, të martën kishte dalë për ca punë të tij në Gjakovë dhe afër Stacionit të Autobusëve kishte hasur në një kuletë.
“Rreth orës 11 :00 duke u kthyer prej Gjakovës në Stacion të Autobusave kam hasur në një kuletë, ngjyrë e kaltër. Aty zakonisht ka lëvizje shumë të mëdha të njerëzve por fati ka dashtë që unë me e gjetë”, ka treguar Avni Thaqi.
Në pamje, kuleta i është dukur e thjeshtë por kur e kishte hapur kishte parë që kishte një shumë të madhe të parave.
“Në momentin e parë që e hapa xhepin e parë, kam hasë me një shumë të madhe të parave : katër 500- she menjëherë, pesë 100-she, një 50-she, dhjetëshe, gjithsej 2576 euro e 70 centë”, ka thënë Thaqi për kallxo.com.
Kur e kishte parë gjithë atë shumë parash, Avni Thaqit i kishte shkuar mendja se mos është ndonjë kamerë e fshehur.
“Shikova rrotull mos është ndonjë kamerë e fshehur se nuk më ka rastisur asnjëherë me gjetë asnjë cent. E pashë që njerëzit lëviznin normalisht si çdo ditë. Mendova çka me bo me këto pare ?”, rrëfen ai.
Thaqi ka treguar se në kuletë kishte mjete të identifikimit të zonjës të cilës i përkiste kuleta por nuk kishte ndonjë numër kontaktues përmes të cili do ta kontaktonte dhe do t’ia dorëzonte personalisht kuletën.
“Nga pamundësia që ta takoj personin personalisht edhe që t’ia jap vetë kuletën u desht me thirrë Policinë”, potencoi Thaqi.
Policia kishte arritur brenda pak minutave në Stacionin e Autobusëve dhe e kishte dërguar Avniun në Stacionin Policor për të marrë deklaratën e tij.
“Fillova e dhashë deklaratën. Aty kam fillu të ndihem krenar sepse gjithë stafi i Policisë ka ardhë dhe më ka përshëndetë edhe përgëzu për gjestin që e kam ba”, ka thënë Thaqi.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Gjakovës.
Zëdhënësja Lirije Podrimja tha se Policia ka kontaktuar me pronaren e kuletës pasi që në kuletë kishte edhe dokumentin e identitetit dhe në pranim-dorëzim i është dhënë kuleta së bashku me të hollat.
“Lidhur me këtë çështje nuk ka qenë nevojshme që Policia të iniciojë rast”, ka thënë Podrimja për kallxo.com.
Avni Thaqi ka treguar se pas deklaratës ai ishte nisur për në punë dhe posa kishte arritur në zyrë kishte marrë një telefonatë nga zonja të cilës i kishte humbur kuleta.
“Në momentin që jemi taku e kam pyetur se a është gjithçka në kuletë si para se me ju humbë e ajo ma konfirmoi që është gjithçka në rregull e nuk mungon asnjë cent. Zonja vetëm sa kishte ardhur nga Austria. Ajo më tha : Po më vjen mirë që paska hala njerëz si ti në Kosovë”, rrëfeu Thaqi.