
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, është takuar me Bordin e ZRrE-së për të diskutuar shqetësimet e sektorit privat në lidhje me procesin e daljes në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Bëhet e ditur se gjatë takimit, Rafuna ka paraqitur qëndrimet dhe kërkesat e bizneseve, duke theksuar nevojën urgjente për shtyrjen e zbatimit të vendimit të shtrenjtimit të çmimit të energjisë prej 16.1% për të paktën një vit.
“Kjo periudhë do të shërbente si fazë tranzitore, me qëllim që bizneset të kenë kohë të përshtaten me rrethanat e reja të tregut dhe që të mund të përgatitet infrastruktura ligjore dhe teknike për funksionim të plotë të tregut të lirë”.
“Megjithëse e kuptojmë nevojën për investime në rrjetin energjetik, mbulimi i kësaj faze të tranzicionit duhet të shoqërohet me mbështetje institucionale, në këtë rast nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për të mundësuar shtyrjen e vendimit për daljen në tregun e lirë për bizneset që punësojnë mbi 50 persona apo kanë qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, Rafuna tha se shtyrja e një vendimi të tillë do të ishte në funksion të mbrojtjes së bizneseve vendore, ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve të vendit.