
Bisedimet teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, kanë filluar tash e 11 vjet. Qëllimi i këtij dialogu ishte/është lehtësimi i jetës së qytetarëve në të dy anët. Mirëpo a është duke ndodhur një dialog gjithëpërfshirës në terren, apo vetëm në nivel politik?
Dialogu ishte dashur të lehtësonte jetën e qytetarëve në të dy anët e kufirit, të mundësonte lëvizjen e lirë, njohjen e dokumenteve dhe njohjen reciproke.
Por, askush më shumë sesa qytetarët nuk po i vuan pasojat.
Dialogu është duke u zhvilluar në nivel teknik pa prekur rrënjën e problemit.
Vetëm 8 kilometra nga qendra e kryeqytetit të Kosovës, ndodhet qyteti multietnik i Graçanicës. Në ketë qytet jetojnë së bashku, shqiptarët, serbët e pjesëtarët e komuniteteve tjera jo shumicë.
“Ne jemi qenie te Zotit, vetëm dëshirojmë që të jetojmë normal. Nuk shoh asnjë problem që vetëm të jetojmë në paqe. Unë nuk kam asnjë problem me shqiptarët, unë nuk di se çfarë të them vetëm se shpresoj se do të arrihet një marrëveshje ku ne do të jetojmë normal më njëri-tjetrin, duhet të jetojmë se bashku si në Evropë”, tha Suzana.
Dialogu që po zhvillohet në Bruksel, mes Kosovës dhe Serbisë, ka stagnuar kohëve të fundit, e megjithatë jeta e qytetarëve vazhdon.
Jeta në Graçanicë, është si në çdo qytet tjetër të Kosovës, pa ndonjë lëvizje të madhe ekonomike; serbët të ndarë nga njëra anë ndërsa shqiptarët në anën tjetër, por duke respektuar fqinjësinë duke mos u “interesuar”, për politikën, të paktën kështu na thanë qytetarët e këtij qyteti.
“Nuk duam të flas për politikë”, tha një qytetar.
“Jam në orar të punës, nuk na lejohet të flasim për çështje politike, ndoshta kur të mbaroj orarin e punës mund të flas”, tha një taksist.
Ndërsa një fermer tha se nuk do të dëshironte të fliste për çështje politike, por nëse do të donim të uleshim të pinim kafe ishim të mirëseardhur.
Hallet e qytetarëve duket se nuk kanë të bëjnë me fjalët që thuhen në Bruksel, por se ku do ta bëjnë gjumin e se si t’i shpëtojnë inflacionit ekonomik.
Nuk është e rëndësishme se cila qeveri do t’u ofrojë ndihmë, përderisa u ofrohet.
“Kam jetuar gjatë tërë jetës sime në Graçanicë; nuk kam dashur të shkoj askund, kam dashur të jetoj në mes shqiptarëve dhe serbëve. Situata për të jetuar në Graçanice është shumë e mirë por jo për të jetuar nën kulme të huaja. Këtë javë më duhet ta lëshoj shtëpinë, kam kërkuar ndihmë në institucionet e Graçanicës, por nuk më kanë bërë asnjë zgjidhje, jam duke menduar që t’i kërkoj ndihmë Kryeministrit Kurti. Nëse këta brenda jave (Komuna e Graçanicës), nuk më bëjnë zgjidhje unë do t’u drejtohem institucioneve të Kosovës për ndihmë”, tha Suzana.
Suzana si shumë serbë në Graçanicë ka raporte të mira fqinjësore me shiptarët, madje edhe ka mësuar pak gjuhën shqipe nga shoqëria e tyre.
Por për dialogun, i cili është duke u zhvilluar në Bruksel, ka shumë pak për të thenë pasi që për të politikanët vetëm shohin veten kushdo që të marrë pozitë. Sipas saj të gjithë duhet të jetojmë në paqe dhe të respektojmë njëri-tjetrin.
“Pushtetarët thjesht po shikojnë se qysh me i mbushë xhepat e vet. Unë mendoj se Institucionet e Kosovës kanë me ma bë një zgjidhje se njerëz jemi edhe na edhe ata. Në mes vete jetojmë mirë serbë e shqiptarë, hamë, pimë bashkë, krejt çka është duke ndodhur është politike. Unë do të kisha jetuar edhe në Prishtinë nëse do të më bëhejj një zgjidhje për banim, nuk mendoj se do të ishte problem pasi që edhe gjuhën e flas pak, do të isha përshtatur”, deklaroi Suzana.
Rrugët e Graçanicës janë të mbushura me flamuj serbë, me postera politikanësh nga Serbia, të cilët kanë mbetur që nga zgjedhjet e 3 prillit; flitet serbisht e valuta e këmbimit është “Dinari”, kartmonedha serbe. Eurot i përdorin në shumë pak raste kur bëjnë tregti me shqiptarët.
Në supermarkete dhe në kafene dëgjohet muzika serbe dhe ka vetëm produkte serbe për të blerë; ato shqiptare nuk gjenden në rafte.
Kuptohen mes vete por nuk duan të flasin gjuhën e njëri-tjetrit, por Kushtetuta u garanton lirinë e përdorimit të gjuhës amtare.
Në rrugën kryesore kishte shumë persona të cilët kryenin punët e tyre, ne u përpoqëm që të flasim me disa prej tyre, por pa pasur sukses, pasi që në momentin që diskutohej për politikë preferonin që të largoheshin dhe të mos prononcoheshin.
Në fund të terrenit takuam Dejanin, një plak tashmë në pension i cili kishte dalë për të blerë gjëra ushqimore për nevoja personale.
Për dallim nga Suzana, Dejani kishte ardhur në Graçanicë pas lufte ku ishte vendosur së bashku më familjen e tij.
Pasiguritë të cilat kishte ndier pas luftës e kishin shtyrë atë që të blinte një shtëpi në Graçanicë. E takuam duke u kujdesur për gjelbërimin në hapësirat publike të rrugës kryesore të qytetit, e cila të shpie për te Manastiri i shekullit të 14.
“Unë në Graçanicë kam ardhur të jetoj në vitin 1992. Kam jetuar në Prishtinë, këtu kemi shtëpinë tonë e jetojmë mirë. Jam i punësuar nga Instiucionet e Kosovës, por edhe marr një pension nga Serbia atje… e marr socialin që s’jam i punësuar në institucione të Serbisë”, tha Dejani.
“Unë nuk e kuptoj mirë politikën, por gjithsesi vetëm le të ketë paqe. Nese arrijnë marrëveshje sigurisht që do të jetë më mirë për të dy palët, por nuk jam shumë i informuar mbi atë se çfarë është duke ndodhur”, u shpreh më tej plaku.
Derisa ishim duke soditur manastirin, takuam Mirosllavin, një person në të 70-at që tashmë ishte në pension. Ai kujtoi kohën se kur kishte ardhur të jetonte në Graçanicë dhe për dialogun i cili është duke u zhvilluar që nga viti 2011.
Por, nuk mendon se në dialog janë duke u biseduar temat të cilat po u interesojnë qytetarëve. Ai mendon se temat për ekonominë e patundshmëritë janë më të rëndësishme sesa temat për targat.
“Nuk mendoj se do të kthehem ndonjëherë edhe pse dialogu është duke ndodhur… unë dokumentet i kam në Lluzhanje, që toka është e imja. Nuk është duke u biseduar asgjë, nuk janë duke biseduar për patundshmëri… ishte dashur që të bisedohej. Ne nuk e dimë se çfarë është duke ndodhur, pasi që as shqiptarëve e as serbëve askush nuk është duke u treguar se çfarë janë duke biseduar. Do të doja që të bisedonin më shumë edhe për temat ekonomike, të cilat do të na mundësonin që të jetojmë një jetë normale. Unë jam në pension, kam punuar në Bankën Komerciale, por e marr pensonin nga Institucionet Serbe…”, tha Mirosllavi.
Gjatë vitit 2021 dialogu Kosovë – Serbi është zhvilluar kryesisht në nivel të ekspertëve.
Në nivel politik, ka pasur dy takime në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në Bruksel, por të paktën edhe dy takime tjera joformale. Në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Lista e marrëveshjeve të realizuara që nga vitin 2011, nuk është shumë e gjatë, por këto marrëveshje janë duke dështuar që të implementohen në terren.