
Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni, mbrëmë ka qenë i ftuar në Emisionin Pressing në T7. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se Serbinë nuk po e armatos Turqia, por kompani komerciale. “Armatosja e Serbisë nuk po ndodh nga Turqia, por nga kompani komerciale. Ato kanë shprehur gatishmërinë që t’i kemi në dispoziocion edhe ne ato armë. Por nuk është se ato shikojnë shtetet armike apo mike tona, por mundësitë financiare të shteteve”, ka shtuar Quni.
Ai ka thënë se nuk pajtohet me deklaratat se Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën. “Nuk pajtohem me deklaratat se Turqia është më e afërt me Serbinë sesa me Kosovën. Në Turqi ekzistojnë disa kompani që kanë subvencione nga qeveria dhe ato drejtohen nga politikat e qeverisë turke. Këto kompani private kanë të drejtën t’u ofrojnë shërbime edhe shteteve të tjera, në këtë rast Serbisë”, ka thënë Quni.