Qeveria ka miratuar kërkesën drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Kjo me qëllim që Projektligji t’i bashkëngjitet edhe deklarata e arritur mes presidentëve të të dyja shteteve.
Ndërsa në orën 16 Qeveria ka paralajmëruar mbledhje ku në rend dite është: “Plotësimi dhe ndryshimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit te Zi”.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi me 16 shkurt ka bërë të ditur se ai dhe homologu i tij nga Mali i Zi, Filip Vujanoviq kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve.
Në deklaratën e përbashkët të dy presidentëve thuhet se: “Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëveshjen sipas Nenit 12 të marrëveshjes”.
“Republika e Kosovës dhe Mali i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra-tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se marrëveshja ka hy në fuqi do të formojnë një trup të përbashkët punues për shënjimin e vijës kufitare”.
Për të dielën ishte caktuar seanca ku ishte proceduar marrëveshja, por ajo u shty për këtë javë për shkak se koalicioni qeverisës nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta kaluar atë.