Qeveria e Republikës së Kosovës ka hartuar projektligjin për Lotarinë e Kosovës, që parasheh kthimin e lojërave të fatit në Kosovë të cilat ishin ndaluar në prill të vitit 2019.
Në këtë propozim ligji parashihet që pas miratimit, të shfuqizohet ligji për ndalim e lojërave të fatit.
Sipas këtij projektligji që është shkruar në gusht të këtij viti, Qeveria planifikon që në kuadër të Lotarisë t’i kategorizojë disa veprimtari.
“Lojërat numerike, Lotaria instant/ekspres, prognozat sportive, bastet në numra apo ngjarje tjera dhe Lojëra tjera të ngjashme ku rezultatet bazohen në rastësi”, do të jenë lojërat e fatit që pritet të organizohen nga ana Lotarisë së Kosovës.
Projektligji i shkruar nga ana e Qeverisë ka 30 nene dhe pritet t’i dorëzohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës për miratim.
Në prill të vitit të kaluar, qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj kishte dërguar në kuvendin Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit.
Ky ligj ishte votuar nga Kuvendi.
Që nga ajo ditë, lojërat e fatit në Kosovë ishin bërë ilegale dhe Policia e Kosovës kishte kryer arrestime të shumta për personat që kishin organizuar lojëra të fatit.
Para pak javësh, një aksion i Policisë i zhvilluar në fshatin kufitar të Kamenicës, Karaqevë asgjësoi disa objekte, në të cilën dyshohej se bëhej organizimi i lojërave të fatit.