
G.H, banor i lagjes “Bregu i Diellit” ka treguar se si qentë endacakë ia kanë dëmtuar veturën. Sipas tij, dëmet e veturës janë së paku 1 mijë euro.
Ai ka treguar për Gazetën Express se rasti ka ndodhur të mërkurën rreth orës 22:30. Thotë se në atë lagje janë 12 qenë endacakë, të cilët përveç që sulmojnë qentë dhe macet e tjera, i sulmojnë edhe personat që janë duke i shëtitur.
“Mbrëmë rreth orës 22:30, 3 qenë i janë vërsulur makinës time duke e kafshuar dhe grithur me thonjë kariserinë e makinës. Interesant është se ata më dhëmbë e kafshonin sikur të kishin ndonjë copë ashti. Një fqinj kishte dalë që t’i trembte, por nuk largoheshin derisa nuk i goditi me këpucë. Dëmet e automjetit janë minumi rreth 1 mijë euro. Në lagje janë 12 qenë të cilët janë duke sulmuar jo vetëm qentë dhe macet, por edhe personat të cilët janë duke i shëtitur ato”, ka treguar ai.
Ai ka dërguar edhe disa fotografi, ku shihen dëmet që i janë shkaktuar veturës së tij, foto të cilat mund t’i shihni më poshtë.