Gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Kosovë, ka biseduar në telefon edhe me Presidentin rus, Vladimir Putin.
Telefonata e tyre, mediat serbe thonë se u bë rreth orës 18:30, pak kohë pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, shkruan kurir, transmeton Gazeta Express.
Mediat serbe vazhdimisht kanë bërë shkrime akuzuese ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, duke thënë se kanë bërë arrestim brutal. Kurse, Vuçiq pas arrestimit të Gjuriqit, aksionin e policisë e ka quajtur “aksion terrorist”.
Pas arrestimit Gjuriq, u transferua në Prishtinë ku bëri një deklaratë para gjyqtarit për kundërvajtje, kështu që u mor vendimi për dëbim dhe ai u dërgua në pikën kufitare në Merdare ku iu dorëzua policisë së Serbisë.