“Pushteti t’i verbon sytë” – A i kërkoi Armend Muja vëllaut të tij të largohet nga Kosova?
Një deklaratë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dje në Kuvend rreth vëllezërve, ka nxitur reagimin e vëllaut të deputetit Armend Muja.
Të njohur si dy vëllezër me bindje të ndryshme politike, vëllezërit Armend e Gazmend Muja, vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes.
Gazmend Muja nëpërmjet një postimi në facebook, ka lënë të nënkuptohet se vëllau i tij, i ka kërkuar të largohet nga Kosova.
“Dje në Kuvendin e Kosovës- Kryeministi nder te tjera tha se vëllezërit i kemi vetem për te shpija! Eshtë shumë e vertetë se kjo thënja e tij po realizohet në jetën aktive tek disa deputetë e kësaj partije, madje duke praktikuar edhe masa më të ashpra ndaj familjarëve te tyre- deri tek kerkesat që vëllëzërit të ikun diku jashtë vendit ose te shesin “farmerka e patika këtu në Kosovë”!”, ka shkruar Gazmend Muja në rrjetin social facebook.
“Pushteti dhe pozitat nganjëhere ti verbon dy sytë, por familja dhe vëllëzërit janë vet shteti!”, ka thënë ai më tutje.
Ndryshe, dje kryeministri deklaroi se vëllezërit janë për në shtëpi, e jo në qeveri.