Posta e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media alarmojnë institucionet qeveritare për kolaps të kësaj kompanie.
Në komunikatën për media thuhet se bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti kanë njoftuar në vazhdimësi Qeverinë e Kosovës për gjendjen e rënduar financiare, duke i propozuar hapa konkretë për tejkalimin e saj.
“Për muaj të tërë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Qeveria janë duke injoruar çdo kërkesë e propozim nga Posta, përfshirë edhe kërkesat për takime. Duke marrë parasysh se Qeveria është Aksionari i vetëm i Postës e MZHE mbikëqyrëse e ndërmarrjeve publike, një qëndrim i tillë mospërfillës është i papranueshëm dhe shumë i dëmshëm sepse këtë ndërmarrje është duke e dërguar drejt krizës edhe më të thellë”, thuhet në komunikatë.
Siç thuhet në komunikatë, Posta nuk ka qenë në gjendje të përmbushë as obligimet që ka ndaj institucioneve vendore publike e të cilat kanë paralajmëruar se do të bllokojnë xhirollogaritë më 2 gusht gjë që do të sjellë në kolaps total.
“E tërë kjo situatë është pasojë e mosmbulimit të humbjes që kemi pësuar nga ofrimi i Shërbimit Universal Postar e që këtë humbje në shumën prej rreth 5 milionë euro MZHE është e detyruar të na e paguaj, por refuzon ta bëj këtë për vite me radhë. Si pasojë e mos kryerjes së obligimeve nga ana e MZHE-së, Posta ende nuk ka pasur mundësi të paguaj asnjë pagë të vetme këtë muaj, e sot jemi me datën 4 korrik”, thuhet në këtë komunikatë.
Sipas komunikatës pavarësisht lansimit të dhjetëra shërbimeve të reja, për të cilat janë në dijeni edhe qytetarët e Kosovës që shfrytëzojnë shërbimet, mospagesa e humbjeve në Shërbimin Universal Postar dhe favorizimi i Qeverisë ndaj kompanive private në dëm të kompanisë së vet e kanë sjellë në këtë gjendje të rëndë.
“Për tejkalimin e gjendjes së rëndë dhe evitimin e kolapsit të Postës, kërkojmë nga MZHE të paguaj urgjentisht borxhin e krijuar si pasojë e humbjeve në Shërbimin Universal Postar”, thuhet në komunikatën e Postës së Kosovës.