Kryesuesja e bordit të Telekomit, Besa Shatri ka raportuar para Qeverisë për gjendjen e Telekomit, duke thënë se ata gjenden në një krizë të thellë.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Shatri ka thënë se në fillim të këtij muaji bordi ka filluar punën duke analizuar gjendjen në të cilën gjendet Telekomi.
Sipas saj, ata kanë 60 milionë euro borxhe, ku sipas saj vetëm 18 milionë nga to ata janë në gjendje t’i paguajnë.
Shatri ka shtuar se gjendjen e kësaj e rëndojnë edhe numri i madh i punëtorëve, problem kyç tjetër është edhe kalimi në kodin 383, pasi, sipas saj, mungojnë mjetet për këtë gjë. Sfidë tjetër mbetet mbyllja e borxhit me Z Mobile.
“Problemet kyçe të cilat rrezikojnë Telekomin janë kalimi në kodin 383 pasi tani edhe mungojnë mjetet. Sfidë tjetër është mbyllja e borxhit me Z mobile. Pra, ekziston rreziku real i falimentimit. Por, rreziku tjetër i madh bie edhe nga paditë që do rezultojnë”, ka thënë ajo.
Sipas Shatrit, dalja nga kriza ata e shohin përmes kredive nga aksionar; kredive nga bankat apo edhe tërheqjen e investitorëve të huaj.
“Nëse nuk do të ndërmerren hapa, Telekomi do të vazhdojë të funksionojë edhe 12 muaj, dhe pas kësaj kohe korporata nuk do të ju takojë më juve si aksionar, por do t’iu takojë borxhelinjëve”, ka shtuar ajo, duke iu drejtuar Qeverisë së Kosovës.