970×90
970×90

Prokuroria kërkon 12 vjet burgim për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn

Prokuroria kërkon 12 vjet burgim për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn

Gjykimi ndaj dy udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, tashmë ka hyrë në fazën finale. Për javën e ardhshme janë caktuar seancat për dhënien e fjalës përfundimtare, përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, tashmë ka paraqitur kërkesën e saj për dënimin e të akuzuarve.

Dosjen përfundimtare të lëndës, prokuroria që udhëhiqet nga Jack Smith, e ka dorëzuar te trupi gjykues. Në këtë parashtrim mbi 150 faqe, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka prezantuar kërkesën që Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vjet burgim secili.

Arsyetimin për këtë, Prokuroria e ka mbështetur në zbulimin e dosjeve nga Gucati dhe Haradinaj në vitin 2020, kërcënimin ndaj dëshmitarëve, dhe publikimin e informacioneve konfidenciale.

Photo 5

“Duke pasur parasysh këto fakte, dënimet që Kolegji mund t’i shqiptojë të akuzuarve, peshën e veprave penale, faktorëve rëndues, mungesën e faktorëve lehtësues, secili i akuzuar duhet të shpallet fajtor për të gjitha veprat penale në aktkauzë, dhe të dënohet me gjashtë vjet burgim dhe gjobë simbolike prej 100 eurosh”, thuhet në parashtrimin e Prokurorisë.

Zyra e Prokurorit të Hagës në mesin e fakteve të prezantuara, flet edhe për dëshmitë e dëshmitarëve të saj, por përmend edhe përgjigjet e vetë Gucatit dhe Haradinajt, kur u morën në pyetje si dëshmitarë.

“Të dy të akuzuarit e kanë përdorur dëshminë e tyre për ta vazhduar agjendën e tyre kundër Dhomave të Specializuara të Hagës. Ata u shmangën vazhdimisht, duke u përgjigjur në pyetje me tendenca politike”, shkruan tutje në parashkrimin e prokurorisë.

Sipas qëndrimeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dy të akuzuarit kanë qenë në dijeni se publikimi i këtyre dosjeve, është në kundërshtim me ligjin, dhe sërish kanë vazhduar duke kryer këto vepra penale.

Photo 6

Materiali që përbëhej nga kërkesat për bashkëpunim me autoritetet shtetërore, deklaratat e dëshmitarëve, produktet e punës nga task-forca hetimore, është bërë publike nga të akuzuarit në konferenca për media. Këto botime janë të pakthyeshme, pasi artikujt mbeten online”, pretendon Prokuroria.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj ishin arrestuar në fundin e muajit shtator të vitit 2020. Deri tek arrestimi i tyre erdhi pasi udhëheqësit e OVL-UÇK-së, kishin organizuar tri konferenca për media në periudha të ndryshme kohore, duke publikuar disa dosje, prejardhja e të cilave nuk dihej.

Gjykimi ndaj tyre është zhvilluar me një ritëm të përshpejtuar, ku pati dëshmitarë të ftuar si nga ana e Prokurorisë, ashtu edhe e mbrojtjes. Vetë të akuzuarit, zbulimin e dosjeve e kanë arsyetuar me interesin publik, për të dëshmuar siç thonin ata, bashkëpunimin e Gjykatës Speciale me Serbinë.

Pasi të dëgjohen fjalët përfundimtare gjatë javë së ardhshme, trupi gjykues do ta caktojë një datë për shpalljen e vendimit final.

Related posts