Një prej çështjeve më të diskutueshme aktualisht në Shqipëri, është ajo e projektit të dhëndrit të presidentit Trump, Jared Kushner.
Nacionale ka raportuar javën e kaluar, për këtë projekt të madh, që kap vlerën e mbi 1 miliard eurove.
Për këtë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur mbrëmë në emisionin Opinion, duke bërë me dije disa prej detajeve nga bisedat që janë zhvilluar në mes të qeverisë dhe kompanisë së z.Kushner,përcjell deklaratat e tij, Nacionale.
“Unë nuk kam hyrë te fondet, nuk kam hyrë te asgjë sepse ne nuk kemi akoma asnjë projekt të dorëzuar zyrtarisht për pjesën e Zvernecit.
Zyrtarisht kemi nga ky grupi, me një projekt që të transforojë Sazanit.
Ka qenë fiksimi im, qysh se kam ardhë në detyrë, kemi pasë tre apo katër kërkesa më parë, nga investitorë që i kemi larguar ne sepse nuk kanë pasur ambicie në atë që kemi kërkuar se cka duhet të jetë Sazani.
Ne kemi kërkuar që Sazani të jetë xhevahiri më i mirë.
Duam të bëjmë një destinacion turistik, i cili të jetë një destinacion i nivelit më të lartë të harmonizmit mes natyrës dhe ndërhyrjes së njeriut dhe i cili sjell konsumatorët më të lartë të turizmit në botë.
Një destinacion që vë Shqipërinë në nivelin më të lartë bashkë me vende tjera që dispozonojnë të tilla adresa dhe që i sjell një burim Shqipërisë për të ardhurat.
Këtu bëhet fjalë për të sjell turizmin e nivelit më të lartë, që është turizëm që ndryshe nga turizmi masiv, nuk ndotë, turizëm që me një turist sjell në ekonominë e vendit, për shkak të shpenzimeve aty, më shumë se 100 turistë që janë me çantë, që janë të mirëseardhur edhe këta.
Ne kemi diskutuar për viziton. Cili është vizioni që kemi ne, që ka Qeveria, që kam unë si përfaqësues i qeverisë për Sazanin.
Të jetë një shembull se si të jetë një harmoni me natyrën dhe si të bëhet një impakt ekonomik shumë më të fortë.
Si të gjithë investitorët e huaj, ata kanë bërë një aplikim për Sazanin.
Shprehje interesi është, e kam thënë publikisht, ajo duhet të kalojë sitën e Agjencisë për të parë nëse përputhen kriteret për një aplikim të tillë.
Vjen edhe projekti konkret i detajuar, që është në proces.
Nuk kam raport për të rindërtuar me ish presidentin Trump sepse raportin me të e kam pasur shumë të mirë dhe nuk kam asnjë arsye për të rindërtuar raporte me të”, tha kryeministri Rama.
Si e keni njohur Jared Kushner? – pyet gazetari Blendi Fevziu, kryeministrin Rama.
“E kam njohur krejt rastësisht sepse ai ka ardhur bashkë me gruan dhe me miqtë e tjerë për ta vizituar Shqipërinë me një jaht, ishin në jaht.
Ai që është pronar i jahtit dhe ishte pritësi i tyre më ftoi kur ata kishin ndaluar në Durrës për të vazhduar më tutje.
Shkova, u takuam dhe kaq, kjo ka qenë njohja”, tha kryeministri Rama.
Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, është në diskutime të avancuara tashmë për tri prona të investimit në Ballkan, që sipas mediumit të njohur “Bloomberg”, mund ta tejkalojë vlerën prej një miliard dollarëve.
Kompania “Affinity Partners”, e themeluar nga Kushner, planifikon të transformojë ishullin e Sazanit në Shqipëri, në zonën që më herët ka qenë bazë ushtarake. Transformimi pritet të bëhet në një eko-resort luksoz, ka thënë Kushner në një intervistë për mediumin.
Kompania pritet të zhvillojë edhe Zvërnecin, po ashtu në Shqipëri, një rajon ky me plazhe të bukura e me rërë të bardhë. Kompania planifikon të ndërtoje disa resorte të mëdha në këtë zonë, me rreth 10 mijë njësi vilash e dhomave hotelesh.