970×90
970×90
970×90
970×90

Profesori pas ankesave për cilësinë e asfaltit: Është vetëm tepih mbi rrugë, nuk mbron nga vërshimet

Profesori pas ankesave për cilësinë e asfaltit: Është vetëm tepih mbi rrugë, nuk mbron nga vërshimet

Shkrirja e borës dhe reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në Kosovë, gjatë ditëve të fundit. Si pasojë e tyre, shumë rrugë janë bllokuar, e madje ka pasur edhe prishje e shkapje të tërësishme të asfaltit nga toka. Shefi i departamentit të Ndërtimtarisë në UP ka folur për Gazetën Express rreth faktorëve që kanë çuar deri te prishja e asfaltit

Reshjet e mëdha të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje në Kosovë. Shtëpi, banesa, biznese e lagje të tëra janë mbushur me ujë.

Por shiu dhe shkrirja e borës kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në infrastrukturën e vendit. Ditët e fundit janë përcjellë me pamje nga komunat në të cilat është shkatërruar asfalti.

Në këto vende, asfalti është ndarë në copa dhe është shkëputur tërësisht nga toka. Për këtë, pati kritika të shumta rreth cilësisë së asfaltit në rrugët e vendit.

Profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës, Cenë Krasniqi, ka deklaruar për Gazetën Express se asfalti nuk e ka rolin e mbrojtjes së rrugëve nga vërshimet.

Krasniqi thotë se asfalti konsiderohet si një lloj tepihu mbi mbushjen e rrugës.

“Duke mos dashur ta mbroj assesi asfaltin e cekur, sepse nuk i di parametrat tjerë, por nga aspekti i vërshimeve asfalti nuk paramendohet me qenë ndonjë element rezistues. Por, është mosnjohje totale të thuhet se asfalti i ka fajet, asfalti nuk e ka rolin ta mbrojë trupin e rrugës prej vërshimeve, nuk është i parashikuar. Asfalti është një tepih mbi rrugë, nuk është asgjë tjetër më shumë”, ka deklaruar Krasniqi.

Profesori universitar ka deklaruar se në raste të tilla është faji te sistemi i largimit të ujit dhe jo te asfalti.

Ai thotë se asfalti nuk mund t’u mbijetojë vërshimeve.

“Prandaj në këto raste ka dështuar trupi i rrugës gjegjësisht sistemi i largimit të ujit, e jo asfalti. Asfalti është si produkt i dështimeve tjera. Është joimagjinare asfalti t’u mbijetojë vërshimeve, sepse nuk e ka atë rol”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi thotë se në Kosovë ka dështuar sistemi i largimit të ujit.

“Nuk po hy në kualitetin e asfaltit, në trashësinë e tij, por në këtë rast neve na ka dështuar sistemi i evakuimit të ujit, gjegjësisht largimit të ujit, dhe mosparashikimi i mirë i tij”, ka thënë ai.

Ndërkaq për trashësinë e asfaltit, Krasniqi thotë se ajo ndryshon varësisht nga zonat në të cilat shtrohet.

“Një rrugë është koncept i ngarkesave të cilat parashikohen mbi të. Janë ngarkesat që brenda një viti, kryesisht është në pyetje sa kamionë të rëndë parashikohet të kalojnë nëpër atë rrugë dhe sa mund ta dëmtojnë, ky është parametri kryesor. Automjetet e vogla zakonisht nuk janë ndonjë ngarkesë që e dëmtojnë asfaltin dhe shumë pak në përqindje marrin ndikim në të”, ka thënë Krasniqi.

“Nga aspekti i dimensionimit vertikal në njërën anë i kemi ngarkesat dhe në anën tjetër varet në funksion të tokës në të cilën po shtrohet. Aty parashikohet një gërmim nëse është humus, një mbushje me zhavorr dhe mbi të vendoset asfalti. Kombinimi i këtyre të triave duhet të jep një aftësi mbajtëse të mirë”, ka deklaruar Krasniqi për Express.

Ai thotë se parametrat përmes së cilave shteohet asfalti varen edhe nga kushtet e rrugës mbi të cilën shtrohet.

Sipas tij, nëse trupi i rrugës është i dobët, as asfalti me trashësi më të madhe nuk mund t’u mbijetojë vërshimeve.

“Është jofalenderuese të thuhet a mjafton vetëm 5-shi, 6-shi apo 8-shi. Është një kombinim i parametrave i cili normal dimensionohet. Nëse është rruga e mirë, e fortë, edhe 4 centimetra asfalt mjaftojnë veç sa me i dimensionua ato pjesë. Nëse trupi i rrugës është i dobët, edhe 20 centimetra të jetë asfalti nuk kryen punë. Asfalti është shtresë fleksibile, nuk është mbajtëse, nuk e ka rolin me e mbajtë strukturën, vetëm me e përcjellë atë ngarkesë, fërkimi, frenimi dhe komoditeti në komunikacion, këto role i ka”, ka deklaruar Krasniqi.

Për cilësinë e asfaltit në Kosovë dhe dëmeve që janë shkaktuar së fundi si pasojë e reshjeve të shiut, Gazeta Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, por kontakti me të njëjtin ka qenë i pamundshëm.

Ndërkohë, nga Komuna e Malishevës, ku ka pasur prishje të asfaltit si pasojë e kushteve atmosferike, i kanë thënë Gazetës se shkaqet e prishjes së asfaltit do të vlerësohen nga ekspertët e fushës.

“Rruga është dëmtuar për shkak të vërshimeve. Për çështje tjera do të vlerësohet nga ekspertët e fushës. Ata do ta vlerësojnë nëse ka elemente tjera të cilat kanë ndikuar në dëmtimin e rrugës”, ka thënë për Express Artan Paçarizi, zëdhënës i Komunës së Malishevës.

Paçarizi ka treguar se asfalti i cili u prish nga reshjet e shiut është shtruar në muajin prill të vitit 2020.

“Punimet kanë filluar në tetor të vitit 2019, ndërkaq asfaltimi është bërë në muajin prill të vitit 2020. Puna është kryer në rregull, mirëpo prapë se prapë janë ekspertët e emergjencave dhe ndërtimit ata të cilët e japin mendimin profesional për këtë çështje”, ka deklaruar Paçarizi./GazetaExpress/

Related posts