
Profesoresha e Edukimit Fizik dhe Sportit, Shqipe Bajçinca-Brestovci, është bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Lajmin e ka bërë me dije kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Shqipes i urova mirëseardhje dhe mbarësi në angazhimet e përbashkëta rreth politikave sportive që do t’i ndërtojmë e prezantojmë përpara. Përvoja e saj e jashtëzakonshme në sport, dija dhe kapacitetet e saj profesionale do të jenë bazë e shëndoshë e programit të ardhshëm politik që LDK ka nisur ta ndërtojë. Bashkimi i profesionistëve si profesoresha Bajçinca-Brestovci, ndërsa, për ne është mundësi e shkëlqyeshme për t’i ofruar qytetarëve tanë e vet Kosovës, njerëz kredibil e profesionistë të përkushtuar në secilën fushë. Kjo e sportit, me gjithë profesionistët e tjerë që i kemi tashmë, merr një vulë”, ka thënë Abdixhiku.
Shqipe Bajçinca-Brestovci është ligjëruese universitare në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ajo ka një jetë të tërë kushtuar sportit; duke lënë gjurmë kulmore në fushën e hendbollit, atletikës dhe karatesë.
Ajo është anëtare e Bordit Ekzekutiv në Komitetin Olimpik të Kosovës, anëtare e Bordit Ekzekutiv në Federatën e Hendbollit të Kosovës dhe delegate ndërkombëtare në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).