
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohje të thellë për pritjen zyrtare nga Presidentja e Konfederatës Zvicerane, Karin Keller-Sutter, dhe anëtarët e Këshillit Federal të Zvicrës, gjatë vizitës së saj shtetërore në këtë vend aleat të rëndësishëm të Kosovës.
Kjo vizitë shënon herën e parë që një President i Kosovës realizon një vizitë shtetërore në Zvicër, një shtet që Osmani e cilësoi si ndër aleatët më të afërt të popullit kosovar.
Gjatë takimit bilateral, dy presidentet diskutuan për thellimin e partneritetit në fusha të ndryshme, përfshirë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe atë në fushën e diasporës. Presidentja Osmani theksoi rolin e rëndësishëm të mërgatës kosovare në Zvicër, duke e cilësuar atë si një “motor zhvillimi” për shoqërinë zvicerane.
“Kosova dhe Zvicra ndajnë vlera të përbashkëta si liria, demokracia dhe solidariteti. Populli i Kosovës është thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në rrugëtimin tonë për forcimin e pozitës ndërkombëtare,” u shpreh Osmani.
Vizita përforcon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve dhe vjen në një kohë kur bashkëpunimi ndërshtetëror po thellohet në fusha me interes të përbashkët.