Partitë opozitare njëzëri janë deklaruar se do të thërrasin protesta për të mos lejuar që presidenti Hashim Thaçi, të jetë prijës i dialogut dhe që temë e bisedimeve të jetë korrigjimi i kufijve.
Vetëvendosja dhe LDK-ja thonë se janë dakorduar në veprimet e tyre, që përmes Kuvendit të legjitimohet ekipi i dialogut.
Partia më e madhe opozitare, LDK-ja, i sheh si opsion edhe protestat për të kundërshtuar deklarimet e presidentit për korrigjim të kufijve dhe që ai të jetë prijës i dialogut.
Ndonëse PSD-ja nuk ka gjetur akoma përkrahjen e Vetëvendosjes dhe LDK-së për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për dialogun, ata thonë se do t’i mbështesin edhe protestat.
Por, pavarësisht kësaj, monitorues të punës së Kuvendit vlerësojnë se opozita po tregohet e pafuqishme.
Ka disa ditë që presidenti Thaçi ka shpalosur ide të ndryshme për ndryshim e korrigjim të kufijve me Serbinë.
Madje, ai ka paralajmëruar se këtë temë do ta diskutojë edhe gjatë shtatorit, kur pritet të mbahet në Bruksel takimi i radhës me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.