
Shaban Gogaj u dënua me 7 vjet e gjysmë burgim për vrasjen e të riut Agonis Tetaj në vitin 2018. Pesë vjet u dënua për vrasje, e dy vjet e gjashtë muaj për armëmbajtje pa leje.
Gogaj u dënua për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ edhe pse akuzohej për vrasje të rëndë. Vendimi ka zhgënjyer thellë familjen Tetaj.
Avokati i familjes, Berat Tmava, në një prononcim për gazetën Nacionale ka treguar bisedën e tij me prindërit e Agonisit.
“Familja e ka prit tepër, tepër, tepër rëndë. Tepër keq. Bile nëna dhe baba e Agonisit më thanë na e kanë vra djalin për herën e dytë”, u shpreh Tmava për Nacionalen.
Si avokat i familjes Tetaj, Tmava vendimin e Gjykatës së Pejës e cilësoi si skandaloz.

“Në cilësinë e përfaqësuesit të palës së dëmtuar, edhe për familjen, edhe për popullin është skandaloz. Bash po më intereson qysh ka me interesu gjykata e shkallës së parë këtë vendim. Kemi me dërgu në Gjykatën e Apelit, dhe jam i bindur që 99% që Apeli e prish këtë vendim nuk e lenë kështu”, deklaroi më tutje Berat Tmava.
Avokati i të dyshuarit, Besnik Berisha, pas seancës tha se familja e kishte vlerësuar lartë trupin gjykues që sot mori këtë vendim. Madje i citoi të njëjtit duke thënë se trupi gjykues ia kishte kthyer shpresën drejtësisë.
E Tmava vlerëson se ata ende i besojnë sistemit. Megjithatë, thotë se vendimi përfundimtar i sotëm ka qenë skandaloz.
“Ne apet i besojmë sistemit të drejtësië, mirëpo nuk mundem me ditë në kry çka kanë, gjykimin e kanë udhëhequr mirë, por vendimi ka qenë skandaloz”, ka thënë Berat Tmava.
Shaban Gogaj do të qëndrojë në paraburgim jo më shumë se 3 vjet, pasi 4 tashmë i ka kryer në paraburgim.
Dënimi i Shaban Gogajt
Shaban Gogaj, i dyshuari kryesor për vrasjen e Agonis Tetajt, është dënuar me shtatë vite e gjashtë muaj burgim. Gogaj është dënuar për vrasje nga pakujdesia, e jo për vrasje të rëndë, ashtu siç e akuzonte Prokuroria, me ndryshim të veprës penale.
Vendimi është shpallur sot në Gjykatën e Pejës nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, raporton gazeta Nacionale nga Peja.
Gjyqtarja e ka dënuar Gogajn për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje. Kjo është hera e tretë që ka ndryshime në veprën penale.
Fillimisht, Gogaj ishte akuzuar për vrasje të rëndë. Më pas, vepra ishte kthyer në vrasje nga pakujdesia. Prokuroria e ndërroi sërish veprën në vrasje të rëndë dhe sot Gogaj dënohet për vrasje nga pakujdesia.

Rasti Tetaj ishte bllokuar për një kohë të gjatë, pasi i dyshuari Shaban Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.
E vetë Berisha ishte përjashtuar nga rasti për shkak të veprimeve të tij në seanca gjyqësore.
Bllokimi i procesit
Rikthimi i veprës penale “vrasje e rëndë” në këtë rast kishte bërë që avokati Besnik Berisha, mbrojtës i dorasit Shaban Gogaj, të kishte reagime të ashpra në gjykatë. Si pasojë, ai u gjobit e më pas u përjashtua nga trupi gjykues. Oda e Avokatëve kishte marrë vendim që t’ua ndalojë përfaqësimin të gjithë avokatëve në këtë rast, sipas detyrës zyrtare.
Të gjitha seancat për gati 10 muaj kishin dështuar. Kjo solli më pas edhe te një vendim nga Qeveria, e cila shfuqizoi vendimin e Odës së Avokatëve. Sidoqoftë, vendimi nuk u përfill nga Oda, deri para pak javësh.
Oda e Avokatëve së fundmi kishte vendosur ta pezullojë vendimin për mos-caktim të avokatit, duke i hapur rrugë kështu nisjes së procesit.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 22 prill ishin takuar me Odën e Avokatëve, pikërisht në ditën kur ishte edhe afati si kërcënim për ndërprerjen e bashkëpunimit.
Pas takimit ,u mësua se Këshilli Gjyqësor dhe Oda arritën marrëveshje që të anulohet vendimi i mëparshëm i odës për moscaktim të avokatit sipas detyrës zyrtare për të akuzuarin Shaban Gogaj dhe, kështu, vendimet e gjykatave të zbatohen pa u bllokuar nga ana e odës.
Këtë marrëveshje dhe zgjidhje të ngërçit e mirëpriti ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila disa herë u përfshi edhe vetë në këtë debat.
“E vlerësoj reflektimin e Odës së Avokatëve të Kosovës. Shfuqizimi i vendimit, që nuk kishte bazë ligjore, i hap rrugën vazhdimit të bashkëpunimit institucional. Si përfaqësues të institucioneve, duhet të jemi në shërbim të ligjit dhe interesit të përgjithshëm dhe assesi interesave individuale”, shkroi Haxhiu menjëherë pas marrëveshjes.
Vrasja e Agonis Tetajt
Në shtatorin e vitit 2018, komuna e Deçanit ishte tronditur nga një vrasje që kishte ndodhur brenda një marketi, që në të njëjtën kohë ishte edhe pompë derivatesh.
Djali i pronarit e kishte qëlluar me armë zjarri në kokë punëtorin Agonis Tetaj.
Rasti fillimisht u cilësua si vrasje e rëndë, e më pas u ricilësua në vrasje nga pakujdesia.
Prindërit e Agonis Tetajt, pas këtij vendimi, kishin marrë vendim që t’i publikonin pamjet e kamerave, ku shihej momenti i vrasjes.
Pas shumë reagimeve, prokurori i ri i rastit kishte vendosur sërish që vepra të cilësohej si vrasje e rëndë.
Kjo nxiti reagime të ashpra nga avokati Besnik Berisha, i cili më pas u dënua nga Gjykata në Pejë për disa herë, duke u përjashtuar krejt në fund nga rasti.