Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në New York ka takuar sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken me të cilin edhe ka publikuar një fotografi në Facebook, shkruan Reporteri.net.
Osmani ka shkruar se me Blinken diskutuan për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, stabilitetin në rajon dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët.
Tutje ajo ka thënë se lidhja e Kosovës me ShBA-në është ekzistenciale dhe e pashkëputshme.
”Diskutim i rëndësishëm me Sekretarin Blinken për të ardhmen euroatlantike të Kosovës, fuqizimin ndërkombëtar të vendit tonë, stabilitetin në rajon, si dhe rëndësinë e bashkërendimit me aleatët. Lidhja me ShBA-të është ekzistenciale dhe e pashkëputshme”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani me 18 shtator takoi edhe Këshilltarin e lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si dhe të Dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Zhvillimet në dialog kanë qenë temë themelore e diskutimit të Presidentes me Chollet dhe Escobar.
Ajo ka nënvizuar rëndësinë kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përmbylljen me sukses të dialogut si dhe ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve.
”Me Chollet dhe Escobar diskutuam zhvillimet në dialog. Theksova rëndësinë e një qasjeje parimore për zbatimin e plotë dhe të balancuar të marrëveshjeve dhe se roli i SHBA-ve është kyç për të përfunduar me sukses procesin, duke i hapur rrugën njohjes reciproke”, ka thënë Osmani./Reporteri.net/