970×90
970×90
970×90
970×90

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it: Hapja e Urës së Ibrit është në interes të të gjithë qytetarëve

Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it: Hapja e Urës së Ibrit është në interes të të gjithë qytetarëve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim komandantin e KFOR-it, Oezkan Ulutash, shkruan Gazeta Projekti.

Përmes një postimi, Osmani ka potencuar se hapja e urës është në interes të të gjithë qytetarëve.

Po ashtu, presidentja ka shtuar se suksesi i qëndrueshëm, mund të arrihet së bashku me aleatët.

“Hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie. Suksesi afatgjatë e i qëndrueshëm arrihet gjithnjë bashkë me aleatë!”, thuhet në postimin e Osmanit.

Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin, Albin Kurti, po insiston se Ura e Ibrit në Mitrovicë, duhet të hapet. Por, për këtë nuk po gjen mbështetje te aleatët ndërkombëtarë, të cilët qartazi thanë se nuk e përkrahin ndryshimin e statusit të kësaj ure.

Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka deklaruar të martën e 6 gushtit, se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e urës së Ibrit në Mitrovicë në këtë kohë.

Bashkimi Evropian, ndërkohë, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit duhet të jetë temë e dialogut me Serbinë, por një deklaratë e tillë ishte kundërshtuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka thënë se “një gjë e tillë do të ishte shkelje e rëndë e sovranitetit, integritetit territorial dhe e kushtetutshmërisë në vendin tonë”.

“Vuçiqi nuk ka çka pyetet se kur do të hapen urat për qarkullim në Republikën e Kosovës. Dialogu i vetëm që duhet të bëhet, është ai brenda Kosovës, në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë [veçanërisht me NATO-n]“, kishte thënë Osmani.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, ndonëse, në kuadër të dialogut, është rënë dakord që të hapet edhe për trafik, por kjo nuk është realizuar kurrë në praktikë. Është hapur vetëm njëra anë e saj për këmbësorë.

Related posts