Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të takohet sot, e enjte, me zyrtarin e lartë amerikan, Todd D.Robinson, shkruan Gazeta Projekti.
Në njoftimin për media nga Presidenca, thuhet se takimi do të zhvillohet në orën 10:00.
“Në orën 10:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Ndihmës Sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson”, thuhet në njoftim.
Robinson, dje ka arritur për një vizitë në Kosovë. Sipas njoftimit të Ambasadës amerikane, Robinson me të arritur është ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin e bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit ndërkombëtar.
“Mirë se erdhe në Kosovë Ndihmës Sekretar Robinson!. Rrugës për në Kosovë, Ndihmës Sekretari i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) i Departamentit amerikan të Shtetit, Todd Robinson, u ndal në pikën kufitare të Vërmicës për të diskutuar rolin jetik të bashkëpunimit kufitar në luftimin e krimit të organizuar dhe trafikimit transnacional”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së ShBA-së.
Në lidhje me mungesën e një takimi me Kryeministrin Albin Kurti të Todd D. Robinson gjatë vizitës në Kosovë, Gazeta Online Reporteri.net para pak ditësh ka kërkuar koment dhe përgjigje nga Qeveria e Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.
Dy javë më parë, gjatë vizitës së saj në Kosovë, kryeministri Kurti u “injorua” edhe nga Ndihmësadministratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, e cila për dy ditë qëndroi në Prishtinë. Në mesin e një sërë aktivitetesh në kryeqytetin kosovar, edhe zyrtarja e lartë amerikane zhvilloi një takim veç me Presidenten Osmani, duke e shmangur Kryeministrin Kurti.
Madje, McKee në Prishtinë përmendi edhe mosmarrëveshjet me “qeveri të caktuara”, por duke siguruar se përkushtimi i USAID-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur.
Gazeta Online Reporteri.net me 7 mars raportoi ekskluzivisht se SHBA ka limituar nivelin e bashkëpunimit dhe takimeve me kryeministrin Kurti.
Kjo, sipas një burimi të besueshëm diplomatik, si “masë kufizuese” shkaku i sjelljes dhe veprimeve të pakordinuara të shefit të qeverisë kosovare, që sipas SHBA-së cenojnë, ngadalësojnë apo edhe rrezikojnë progresin në implementimin e marrëveshje të arritura me Serbinë dhe tensionojnë gjendjen në veri të vendit. Rrjedhimisht, sipas të njëjtit burim, Kurtit i kufizohen takimet me zyrtarët e lartë amerikanë. Përjashtim, sipas të njëjtit burim, bën ndonjë rast kur ndonjë zyrtar i lartë amerikan udhëton në Prishtinë për “porosi të qarta dhe të domosdoshme” për Qeverinë e Kosovës, siç ndodhi javën që shkoi me vizitën e Gabriel Escobar në Kosovë.